Qytetari Pëllumb Berberi është ankuar në “Fiks Fare” se ka 10 vite që kërkon të gëzojë shtëpinë e tij, por ish-gruaja, me dokumente false ka arritur t’ia marrë, ndërsa gjykata ka vendosur në favor të saj.
Pëllumb Berberi është ankuar se në vitin 1995, pas përmbytjeve në fshatin Zham Sektor të Lushnjës ka aplikuar për leje sheshndërtimi në ish-Komunën Dushk. Pas miratimit të lejes, ai ka ndërtuar një shtëpi, e cilësuar si banesa Nr. 1 në hartë.
Por në vitin 1999, bashkëshortja e tij, Hamide Dauti e ka kallëzuar në polici për pengmarrje dhe ai është arrestuar për 3 vepra penale. Në kohën që ka qenë në burg, ai pretendon se gruaja e tij ka shkuar te kryetari i Këshillit të Komunës Dushk, Daut Sula, dhe i ka kërkuar që të nxjerrë një kërkesë për sheshndërtimi dhe një vendim për lejendërtimi, për një garazh që kishin ndërtuar ngjitur me shtëpinë, pasi ajo ka pretenduar se do e shiste me qëllim që të nxirrte të shoqin nga burgu.
Në këto kushte, sipas ankuesit, Hamide Dauti bashkë me kryetarin Daut Sula dhe sekretarin e Këshillit, Avni Agaçe, kanë përpiluar në zyrë një kërkesë dhe një vendim, të cilin e kanë firmosur dhe vulosur. Ajo ka marrë vendimin për garazhin dhe, kur Pëllumb Berberi ka dalë nga burgu, ajo është ndarë me të.
Fillimisht kanë bërë gjyq për ndarjen dhe më pas, djali i saj ka kërkuar në gjykatë të marrë në posedim shtëpinë që ishte ndërtuar në vitin 1995. Në gjykatë ka paraqitur si dokument kërkesën e vitit 1995 dhe vendimin e lëshuar në vitin 1999, nga ana e kryetarit të Këshillit të Komunës për garazhin, që sipas tij janë realizuar në zyrë në kundërshtim me ligjin.
Duke u bazuar në këtë dokument, që sipas Pëllumb Berberit është fals, në vitin 2006 gjykata ka vendosur në favor të djalit të ish-gruas së Berberit.
Pas këtij gjyqi, Berberi ka kallëzuar në Prokurori dokumentet e paraqitura në gjykatë, që sipas tij ishin false. Në përfundim të hetimeve Prokuroria ka konkluduar në faktet se, kërkesa për sheshndërtimi e vitit 1995 e Gentian Llakës ishte false, ndërkohë që një vendim i vitit 1999 në favor të tij, për leje për sheshndërtimi nga Këshilli i Komunës Dushk nuk gjendej në arkiv. Madje nuk kishte pasur mbledhje të këtij këshilli me atë datë vendimi.
Në këto kushte, gjykata ka vendosur që kërkesa është false, por ka argumentuar se, duke qenë se vendimi nuk gjendej në arkiv, nuk do të thotë se nuk është marrë një vendim i tillë.
Për të mësuar më shumë për këtë çështje, gazetarët e “Fiks Fare” kontaktuan edhe me ish-bashkëshorten e Berberit dhe personat e përmendur prej Berberit për falsifikimin e vendimit, në të cilin është bazuar gjykata, duke i dhënë pronën djalit të ish-gruas së tij.
Hamide Dauti pretendon se prona është e saj me vendim gjykate, e kur gjykata të vendosë të kundërtën, atëherë pronën do t’ia kthejë Pëllumb Berberit. Ajo pretendon se dokumentet janë të rregullta dhe se ish-burri i saj ka pasur një shtëpi tjetër, të cilën ia ka shitur motrës së saj, pasi aty ndodhen dy banesa në radhë dhe e treta është një garazh.
Por duke qenë se të dyja palët pretendojnë se kanë dokumente të rregullta, dhe se gjykata ka vendosur në favor të Hamidesë, gazetarët gjetën edhe ish-sekretarin e Këshillit të Komunës, Avni Agaçe, dhe ish-kryetarin e Këshillit të Komunës, Daut Sula.
Gjatë një bisede me gazetarët e “Fiksit”, ish-sekretari i këshillit tha se në atë kohë, ish-gruaja e Pëllumbit kishte kërkuar favor prej tyre dhe, si kërkesën, ashtu edhe vendimin e ka përpiluar vet ajo në zyrën e tij, me qëllim që t’i vinte në ndihmë Pëllumbit dhe më pas ka firmosur ish-kryetari i Këshillit të Komunës. Ai tha se gjithçka është bërë jashtë ligjit, sepse në kohën kur është marrë vendimi nuk ka pasur mbledhje këshilli.
Ndërsa për pretendimin e dy banesave, siç thotë ish-gruaja e ankuesit, se ai ka pasur një banesë tjetër me leje, ai tha se aty është dhënë vetëm një leje në vitin 1995, pikërisht për shtëpinë që është objekt konflikti, një leje e bërë në mënyrë abuzive për garazhin, e cila është përdorur në gjykatë si leje për shtëpinë, dhe banesa tjetër që është në ndërtim nuk ka leje fare.
Por ish-kryetari i këshillit, Daut Sula nuk pranon të ketë pasur dijeni. Ai thotë se ka firmosur vetëm dokumentet e sjella nga sekretari i Këshillit të Komunës, i cili ka qenë personi përgjegjës. Ai thotë se ata mund të kenë abuzuar, por ai nuk mund të thotë sesi ata i kanë bërë dokumentet. Por, ky dokument i nxjerrë në vitin 1999, tashmë i ka dhënë pronësinë djalit të ish-gruas së qytetarit Pëllumb Berberi.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...