Google ADS

Inteligjenca Artificiale “futet” në Kuvendin e Shqipërisë, shpallet tenderi 74.5 milionë lekë

12:41 | 11 Qershor 2024
E.G

Në kuadër të rritjes së transparencës, efikasitetit në punë dhe digjitalizimit të institucioneve, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur të përdorë inteligjencën artificiale në zbardhjen e fjalimeve të deputetëve në seancat plenare, komisionet dhe çdo konferencë që do të zhvillohet në ambientet e Kuvendit.

Kuvendi ka hapur një tender prej 74.5 mln lekësh për të përdorur inteligjencën artificiale në transkriptimin e audios në tekst, duke shkurtuar kohën e punës por edhe rritur transparencën dhe efikasitetin në kërkim dhe arkivat e Kuvendit.

Në aneksin e kontratës “Blerje e sistemit të transkriptimit të dhënave audio-video të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në inteligjencën artificiale dhe shërbim mirëmbajtje 48 muaj”, thuhet se Kuvendi i Shqipërisë përpiqet të jetë sa më transparent në komunikimin efektiv me qytetarët dhe shoqërinë civile, në mënyrën më të shpejtë dhe më të aksesueshme të mundshme.

Gjithashtu theksohet se Shërbimi i Redaktorëve të Kuvendit transkripton dhe redakton mbi 10 orë materiale audio në ditë duke sjellë vonesa në përpilimin e procesverbaleve.

“Transparenca dhe ambiciet për transformimin digjital janë shtyllat kryesore të Planit Strategjik të Kuvendit. Ndërsa prodhohet një sasi e konsiderueshme e materialeve audiovizuale, Shërbimi i Redaktorëve i Kuvendit ka detyrë të transkriptojë, redaktojë dhe korrektojë, duke konvertuar regjistrimet në dokumente të shkruara, për të prodhuar procesverbalet e plota të secilit takim, pjesë e aktivitetit parlamentar. Realizimi i kësaj detyre në mënyrë manuale, pa ndihmën e Teknologjisë së Informacionit është i vështirë dhe thuajse gjithmonë kërkon përpjekje të sforcuara të stafit për të përballuar fluksin e lartë të punës (seanca të zgjatura plenare, disa komisione parlamentare që mblidhen paralelisht, duke prodhuar mbi 10 orë material audio në ditë). Procesi i zbardhjes me kufje dhe i redaktimit e korrektimit merr kohë, në disa raste është madje e pamundur të ndiqet ritmi për shkak të intensitetit të aktivitetit parlamentar. Kjo sjell vonesa në përpilimin e procesverbaleve në kohë të shpejtë”, thuhet në aneksin e këtij tenderi të Kuvendit.

Përdorimi i inteligjencës artificiale në transkriptimin automatikisht të seancave plenare dhe komisioneve do të siguronte rritjen e produktivitetit dhe transparencën e plotë në kohë reale. Ky shembull digjitalizimi ndiqet aktualisht nga parlamentet e Italisë, Irlandës dhe Gjeorgjisë.

Fondi limit i tenderit është 74.5 mln lekë pa TVSH, nga përcaktohet se periudha e zbatimit të kontratës do të jetë 5 muaj implementim që kushton 41.4 mln lekë dhe 4 vjet mirëmbajtja që kushton 33.1 mln lekë.

“Blerje e sistemit të transkriptimit të të dhënave audio video të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në inteligjencën artificiale, me vlerë fondi të përllogaritur në 41.420.000 (dyzet e një milion e katërqind e njëzet mijë) lekë pa Tvsh.

Mirëmbajtje për 48 (dyzet e tetë) muaj me vlerë fondi të përllogaritur deri në 33.164.800 (tridhjetë e tre milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e tetëqind) lekë pa TVSH, mbështetur në vlerën mujore të përllogaritur”, thuhet në tenderin e Kuvendit.

Qëllimet e kësaj kontrate janë:

Efikasiteti: Mund të përmirësojë efikasitetin e proceseve parlamentare duke reduktuar nevojën për transkriptim manual ose mbajtjen e shënimeve. Kjo lejon parlamentarët dhe stafin të fokusohen më shumë në përmbajtjen e diskutimeve, sesa në detyrat administrative.
Transparenca: Teknologjia e konvertimit të fjalës në tekst rrit transparencën duke ofruar një zbardhje të shpejtë të aktivitetit parlamentar. Ky regjistrim mund të bëhet i disponueshëm për publikun, gazetarët, studiuesit dhe palët e tjera të interesuara, duke siguruar përgjegjshmëri dhe hapësirë në procedurat qeverisëse.
Kërkueshmëria: Transkriptet e tekstit të gjeneruara nga teknologjia e konvertimit të fjalës në tekst mund të indeksohen dhe kërkohen lehtësisht, duke mundësuar kthjellimin efikas të diskutimeve specifike, debateve ose temave të interesit. Kjo ndihmon në kërkim, analizë dhe mbledhjen e regjistrimeve parlamentare.
Arkivimi: Transkriptimi automatik ofron një mënyrë të përshtatshme për të arkivuar dhe ruajtur procedurat parlamentare për qëllime historike. Regjistrimet digjitale të krijuara përmes teknologjisë së konvertimit të fjalës në tekst mund të ruhen elektronikisht dhe të qasen në të ardhmen për referencë ose analizë
/rtsh.al/

Të ngjashme