Vit pas viti, fenomeni i emigracionit po merr përmasa alarmante dhe po përfshin segmente të shoqërisë me aftësi. Një anketë e vitit 2020 e profesorëve Gëdeshi dhe King, nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale me studentë, zbuloi se 79% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi në raport me 65% në vitin 2018. Nga ana tjetër, 95% e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen.
Zhgënjimi i prindërve, sidomos i atyre me mundësi të larta ekonomike, shtyn të rinjtë të studiojnë jashtë, ndërsa të tjerët ikin nga mungesa e perspektivës dhe mundësive në vend. Rritja e dëshirës për emigrim zbulon dobësitë strukturore të ekonomisë dhe politikave, që në vend që të përmirësohen po përkeqësohen dhe nuk po gjenerojnë mundësi dhe perspektivë për popullatën. Fenomeni i largimit është më i lartë në Shqipëri, se kudo tjetër në Europë
Fakti se 79% e studentëve dhe 59% e maturantëve, po planifikojnë të ikin nga Shqipëria, sipas një ankete të fundit të realizuar nga profesorët Ilir Gëdëshi dhe Russell King, nxjerr zbuluar dobësitë strukturore që po kalon ekonomia e vendit dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen.
Liria e lëvizjes për zgjedhur vendbanimin dhe profesionin, një tipar dallues i globalizmit prej të cilit janë prekur edhe vendet e zhvilluara, po e përball Shqipërinë me pasoja fatale, boshatisjen e vendit. Anketa e madhe e emigracionit vitin e kaluar zbuloi se nga viti 2011 deri në 2019 kanë lënë vendin edhe 360 mijë persona. Popullsia reale në vend nga 2.8 milionë, është diku te 2.4 milionë.
Fenomeni pritet të përkeqësohet prej efekteve negative të pandemisë COVID-19. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) lajmëroi këto ditë se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe sidomos Shqipëria, pritet të përballen me flukse të larta emigrimi për shkak të pandemisë. Në një raport të vitit 2020, OECD konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000 deri në 2016.
Emigrimi i studentëve në shkallë të madhe pasqyron çekuilibrat e fuqishme të brendshme në Shqipëri, përfshirë pabarazinë midis hapësirës Durrës–Tiranë dhe pjesës tjetër të vendit, mundësitë e kufizuara për të diplomuarit që të gjejnë punë, të cilat u japin kënaqësi dhe të ardhura që përputhen me kualifikimet e tyre dhe fenomeni i klientilizimit për të gjetur një punë të nivelit të lartë. Si rrjedhojë numri i të rinjve që synon të largohen nga vendi rritet nga viti në vit. Nga 2018 në 2020 numri i studentëve që preferojnë të ikin jashtë pësoi rritje me 14 pikë përqindje
Maturantët në tkurrje, 59% duan të ikin
Numri i nxënësve në ciklin 9-vjeçar dhe të mesëm të arsimit po bie me shpejtësi prej rënies së lindjeve dhe emigrimit. Për rrjedhojë, numri i maturantëve shqiptarë në shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale të vendit, arriti në 34 mijë nxënës në vitin 2019 nga 39.629 më 2015, ose 14.1% më pak.
Sipas anketës të “Gëdeshi & King”, më shumë se dy të tretat dëshirojnë të vazhdojnë arsimin universitar, çka përafrohet edhe me tendencat që shfaqen në statistikat zyrtare. Thuajse 20% e maturantëve dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit, 41% në universitetet shqiptare dhe pjesa tjetër, 39%, dëshirojnë të studiojnë pjesërisht në Shqipëri (studimet bachelor) dhe pjesërisht jashtë vendit (studimet master).
Dëshira për të studiuar jashtë vendit përgjithësisht shfaqet që në vitin e parë të shkollës së mesme dhe është një perceptim dhe reflektim i të rinjve për kushtet e arsimit dhe perspektivën e tyre në Shqipëri. Egla, një nxënëse e shkëlqyer në një shkollë të mesme në Tiranë, thotë, “unë personalisht sapo kam ardhur në shkollën e mesme, kam filluar të mendoj se çfarë dege do të vazhdoj, ku do të profilizohem, në cilin universitet do të shkoj.
Duke parë se universitetet në Shqipëri nuk i përmbushnin kërkesat e mia, menjëherë fillova të shikoj më larg se Shqipëria, dhe konkretisht mendova në Gjermani.” Në raste të tjera, kjo dëshirë nxitet nga prindërit e arsimuar që synojnë shkollimin e mirë të fëmijëve dhe shpesh e shohin perspektivën e tyre jashtë vendit.
“Elita” e zhgënjyer nxit fëmijët të largohen
Shumë nga të rinjtë që planifikojnë të largohen nga vendi për të studiuar jashtë vendit kanë nxitës prindërit. Anketa tregon thuajse 2/3 e prindërve që duan të çojnë për studime maturantët jashtë janë profesionistë (mjekë, inxhinierë, juristë etj.), nëpunës të administratës shtetërore, biznesmenë, menaxherë, drejtorë ose partnerë biznesi. Vërehet edhe një ‘ndarje pune’ dhe përgjegjësie ndërmjet brezave në familje.
Prindërit kujdesen për financat e familjes, ndërsa fëmijët për mbarëvajtjen në mësime dhe përvetësimin e gjuhëve të huaja. Thuajse 35% e maturantëve që dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit e flasin ‘rrjedhshëm’ gjuhën e vendit të dëshiruar dhe rreth 38% thonë se e flasin ‘mirë’. Lidhur me mbështetjen financiare të familjes, Erli, një maturant nga Korça, shprehet se gjatë dy viteve të fundit ka diskutuar shumë me familjen, sidomos për pjesën financiare. Kjo është një temë që nuk mund të anashkalohet.
“Besoj se një pjesë të madhe të shpenzimeve prindërit ma mbulojnë, kështu që shanset janë të mëdha që të studioj jashtë. Por kjo është një sakrificë e madhe për prindërit, sepse gjithçka të tyren ata po mundohen të ma japin mua. Ata do të mundohen edhe më shumë se sa po të studioja në Shqipëri”. Por jo të gjithë i kanë këto mundësi. Sipas të dhënave të anketës, 24% e maturantëve thonë se familja mund të financojë tërësisht studimet e tyre, 64% thonë pjesërisht dhe 12% thonë se kjo është e pamundur.
Arsyet pse largohen dhe degët që duan
Maturantët që dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit, në krahasim me ata që dëshirojnë të studiojnë në Shqipëri, preferojnë më shumë ‘shkencat kompjuterike, informatikë dhe elektronikë’, ‘inxhinieri dhe ndërtim’ dhe ‘shkencat natyrore’ (biologji, fizikë, matematikë). Kjo preferencë, krahas prirjeve individuale, lidhet edhe me kërkesat e tregut të punës në vendin e dëshiruar të migrimit dhe pasqyron mundësitë e punësimit. Studiuesit pyetën maturantët lidhur me arsyet pse duan të studiojnë jashtë vendit.
Tri arsyet kryesore janë dëshira për një karrierë ndërkombëtare (24.6%), sigurimi i një pune dhe page më të mirë në rast se rikthehen në Shqipëri (20.4%) dhe cilësia e ulët e universiteteve shqiptare (17.7%). Andra, e cila dëshiron të studiojë në Turqi, shprehet: “Mënyra e mësimdhënies, atje ku unë do të shkoj, në Turqi, ka një diferencë të madhe me atë që është në Shqipëri. Kjo është arsyeja kryesore: cilësia e mësimdhënies.”
79% e studentëve të zhgënjyer, duan të largohen
Studiuesit Gëdeshi dhe King kanë pyetur 1.650 studentë në të gjitha universitetet në vend, mosha mesatare e të cilëve ishte 22 vjeç. Rezultatet treguan se 79% tyre që studiojnë në Shqipëri, synojnë të emigrojnë jashtë vendit. Synimi për të emigruar lidhet me përfytyrimin që kanë studentët për të ardhmen. Nga njëra anë, ai është një pasqyrim i gjendjes reale ekonomike, sociale e politike në Shqipëri dhe, nga ana tjetër, i mundësive potenciale në vendin pritës.
Në një studim tjetër të botuar në 2018, ne kishim treguar se treguesi i emigrimit potencial nga Shqipëria, për grupmoshën 18 deri në 40 vjeç, ishte 52%, por kurba e tij kulmonte në moshat 27-30 vjeç (71.2%) dhe se dëshironin më shumë të emigronin ata që kishin arsim universitar.
Emigrimi potencial nga Shqipëria po merr gjithnjë e më shumë tiparet e një “Brain-Drain”, pasojat negative të të cilit do të jenë të mëdha. “Shkurt, tendencat e reja tregojnë se nga Shqipëria synojnë të emigrojnë më shumë të rinjtë dhe më të arsimuarit” u shprehën autorët
Sipas të dhënave të anketës, 7% e emigrantëve potencialë dëshirojnë të emigrojnë nga Shqipëria para përfundimit të studimeve, 62% menjëherë pas përfundimit të studimeve universitare, dhe rreth 27% pas një përvoje pune në Shqipëri. Majlinda, një studente në Gjermani, tregon për motrën e saj: “Motra ime përfundoi me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Mjekësisë dhe punoi rreth dy vjet në një nga spitalet private të Tiranës. Kjo qe një kohë e mjaftueshme për të bërë një kurs intensiv të gjuhës gjermane, për të marrë një eksperiencë dhe për të vendosur lidhjet në Gjermani. Aktualisht ajo punon në një spital në Gjermani.”
E shprehur në segmente kohore 17% e studentëve dëshirojnë të migrojnë brenda vitit, 69% brenda 5 viteve të ardhshme dhe 12% thonë pas 5 viteve. Në rast se u besojmë këtyre shifrave, atëherë kjo është masa e studentëve shqiptarë që synon të emigrojë nga Shqipëria në afat të shkurtër dhe të mesëm.
Rezultatet e anketës tregojnë se ekziston një diferencë shumë e vogël në dëshirën për emigrim ndërmjet studentëve femra (79.4%) dhe meshkuj (78.1%). Historikisht, emigrimi shqiptar ka qenë i udhëhequr nga meshkujt, ndërsa femrat pasonin në një periudhë të mëvonshme, nëpërmjet bashkimit familjar ose martesave. Ky tregues i emigrimit potencial, pak më i lartë te femrat (+1.3 pikë përqindje) në krahasim me meshkujt, tregon edhe shkallën e lartë të iniciativës, emancipimit dhe pavarësisë të studentëve femra. Nga ana tjetër, anketa me studentët jashtë vendit ka treguar se 95% e tyre nuk ka plane të afërta për rikthim në Shqipëri pas studimeve.
91% e studentëve të mjekësisë dhe 84% të TIK, duan të largohen
Synimi për të emigruar është më i lartë te disa grupe studentësh në fusha të caktuara, si studentët e mjekësisë (91.5%) dhe infermierisë (83%), të informatikës (84.4%), të inxhinierisë (79.2%) dhe arkitekturës, çka shpjegohet me mundësitë më të mëdha të punësimit në vendin e dëshiruar të emigrimit.
Studiuesit shprehen se, tendenca e lartë e emigrimit potencial, sidomos për disa grupe studentësh të fushave të caktuara, përbën një shqetësim dhe duhet të tërheqë vëmendjen e së gjithë shoqërisë.
Kjo mund të rrisë mungesat në segmentin e sipërm të disa profesioneve shumë të nevojshme në Shqipëri. Numri i mjekëve, infermierëve dhe mamive për 100.000 banorë në Shqipëri, është shumë më i ulët në krahasim me mesataren e vendeve të BE-së (384 mjekë në vitin 2016), por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur duke u zvogëluar. Në vitin 2000, Shqipëria kishte 140 mjekë për 100.000 banorë, në vitin 2016 kishte 120 dhe në vitin 2018, ky tregues ra në 110 mjekë.
E njëjta tendencë rënëse vërehet edhe për infermierët dhe mamitë. Migrimi ndërkombëtar i stafit mjekësor, kryesisht në Gjermani, është një nga faktorët kryesorë që shpjegon këtë ulje. Një vrojtim i realizuar në vitin 2018 tregoi se gjatë 5 viteve të fundit, rreth 13% e stafit mjekësor kishte emigruar nga Shqipëria dhe se numri i atyre që emigrojnë çdo vit është i barabartë ose më i madh se sa numri i mjekëve të rinj që diplomohen në Universitetin e Mjekësisë. Ndërsa numri i infermierëve që kanë emigruar nga Shqipëria gjatë periudhës 2014–2019 llogaritet në rreth 8.500 persona. Krahas kësaj, edhe shpërndarja e personelit shëndetësor në territorin e vendit, si pasojë e migrimit të brendshëm, është e pabarabartë.
Thuajse 51% e mjekëve janë përqendruar në Tiranë dhe në shumë rrethe të prapambetura të vendit ka mungesë të mjekëve specialistë. Ulja e mëtejshme e numrit të mjekëve dhe infermierëve, ashtu si dhe shpërndarja e pabarabartë e tyre në territorin e vendit, do të sillte jo vetëm përkeqësimin e treguesve shëndetësorë të popullsisë, por edhe valë të reja të migrimit të brendshëm dhe ndërkombëtar. Një studim iIOM-it i realizuar në vitin 2020 tregoi se një nga shkaqet pse familjet e varfra shqiptare kërkuan azil në vendet e BE-së (kryesisht në Gjermani dhe Francë) ishte edhe mungesa e një shërbimi shëndetësor cilësor.
Arsyet e emigrimit, dominon faktori ekonomik
Studiuesit shprehen se, tri janë grupet e faktorëve që shtyjnë studentët të emigrojnë nga Shqipëria. Grupi i parë lidhet me faktorë ekonomikë, siç janë përmirësimi i standardeve të jetesës, gjetja e një vendi pune, kushtet e punës, kërkimi i një karriere ndërkombëtare dhe një sistem më i mirë i sigurimeve sociale. Ky është grupi më i rëndësishëm i faktorëve shtytës dhe thuajse 65% e studentëve i theksojnë ato.
Kjo tregon se emigrimi i studentëve udhëhiqet nga faktorë ekonomikë. Grupi i dytë i arsyes që dominon me 17% dëshirën për largim lidhet me vazhdimin e arsimimit jashtë vendit (master, specializim etj.). Të dhënat e anketës tregojnë se studentët e bachelorit kanë një dëshirë më të madhe për të vazhduar shkollimin jashtë vendit në krahasim me studentët e masterit. Ndërsa grupi i tretë, rreth 17%, lidhet me faktorë socialë, si ‘në Shqipëri nuk ka të ardhme’, ‘nuk më pëlqen të jetoj në Shqipëri’, ‘bashkimi familjar’, ‘shërbime më të mira shëndetësore’ etj.
Thuajse 34% e studentëve kanë jetuar përkohësisht jashtë vendit ose kanë pasur njërin nga prindërit në emigracion për një periudhë të paktën njëvjeçare, kryesisht në Greqi dhe Itali. Të dhënat e anketës tregojnë se synimi për emigrim është pak më i lartë te studentët që kanë lindur dhe jetuar jashtë vendit, ose kanë pasur prindërit emigrantë në krahasim me ata që nuk i kanë pasur. Kështu synimi për të emigruar i studentëve që kanë lindur dhe jetuar jashtë vendit ose kanë pasur prindërit emigrantë është 81%, kurse i atyre që thonë se nuk kanë jetuar ose nuk kanë pasur një nga prindërit emigrantë, është 78%.
Vendet me të preferuara, Gjermania dhe SHBA
Vendet kryesore ku maturantët shqiptarë dëshirojnë të studiojnë, të renditura sipas rëndësisë, janë Gjermania 31.1%, SHBA 13.8%, Italia 11.4%, Mbretëria e Bashkuar 10.4%, Franca 7.7%, Zvicra 3.7%, Turqia 2.9%, Greqia 2.7%, Holanda 2.1% dhe Austria 2.1%.
Thuajse të gjitha vendet ku dëshirojnë të studiojnë të rinjtë shqiptarë janë shumë të zhvilluara nga pikëpamja ekonomike dhe sociale. Por përzgjedhja e vendit të studimit, sipas rezultateve të anketës, kushtëzohet nga një kombinim i disa faktorëve, si cilësia e arsimit (38%), mundësia për të gjetur punë në përfundim të studimeve (29%), njohja e gjuhës së vendit pritës (18%), kosto e studimeve universitare (7.4%) dhe ekzistenca e rrjeteve sociale dhe familjare.
Era, një maturante nga Elbasani, shprehet: “Në qoftë se motrat e mia do të studionin në Itali, ndoshta do të zgjidhja Italinë sepse posedoj më shumë të dhëna për këtë vend. Por do të shkoj atje ku janë të afërmit e mi, sepse atje kam një bazë.” Edhe të dhënat sasiore tregojnë se rreth 27% e atyre që dëshirojnë të studiojnë ‘jashtë vendit’ dhe rreth 23% e atyre që dëshirojnë të studiojnë ‘edhe në Shqipëri edhe jashtë’ kanë pjesëtarë të familjes dhe të afërm në vendin e dëshiruar të studimeve.
Studiuesit i pyetën studentët shqiptarë edhe për vendin e preferuar të emigrimit për punë dhe/ose studime të mëtejshme. Dhjetë vendet e para të emigrimit potencial të studentëve janë: Gjermania 25.5%, SHBA 18%, Britania 15% etj. Pjesa më e madhe e studentëve synon të emigrojë në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore dhe vetëm ¼ e tyre në vende të largëta (si në SHBA, Kanada, Australi), ku ka mundësi punësimi dhe të ardhura të larta.
Studimi tregon se nuk ka përputhje midis vendit të dëshiruar të studimit nga maturantët dhe atij të emigrimit nga studentët.
Kështu, Turqia dhe Greqia janë vende të dëshiruara studimi, për shkak të kostos së ulët, Turqia, dhe afërsisë gjeografike, Greqia, por jo emigrimi. Franca, Holanda dhe Austria preferohen për cilësinë e lartë të universiteteve, por është më i vështirë punësimi (dhe rrjedhimisht emigrimi). SHBA-ja, Britania, deri diku Kanadaja, preferohen si vende studimi, por dëshira për emigrim, për shkak të mundësive të punësimit dhe të ardhurave të larta është më e madhe. Vendet tradicionale të emigrimit shqiptar, si Greqia (dhe deri në njëfarë mase Italia), pas krizës ekonomike globale, po e humbasin rëndësinë e tyre.
Rrjedhimisht, një hartë e re e emigrimit shqiptar është duke u skicuar. Studentët kanë pohuar se përzgjedhja e vendeve përcaktohet kryesisht nga faktorë ekonomiko-socialë, dhe arsimorë, të tilla si mundësia e punësimit dhe e të ardhurave të larta, 35.6%, mundësi më të mira arsimimi dhe kualifikimi (19.9%), shërbime të mira shëndetësore (10.2%) dhe mbrojtje sociale (9.1%), njohja e gjuhës (5.7%) dhe ekzistenca e rrjeteve sociale (5.3%) dhe familjare.
Kosto e studimeve jashtë vendit 140 milionë euro në vit
Gëdeshi dhe King pohojnë se studimet jashtë vendit të studentëve shoqërohen me një kosto të lartë ekonomike për vendin. Struktura e kësaj kostoje përbëhet nga tarifat e universitetit, tekstet universitare, qiraja e banesës ose konviktit, shpenzimet e jetës së përditshme (ushqime, transport, veshmbathje, komunikim, zbavitje), sigurimi shëndetësor, dokumentet e qëndrimit dhe vizitat në vendlindje.
Kjo kosto, në varësi të elementeve të saj, ndryshon jo vetëm nga njëri vend në tjetrin, por edhe brenda vendit. Sipas intervistave me studentët shqiptarë, kostoja mesatare mujore është 650 euro në Greqi, 750 euro në Itali, 850 euro në Gjermani, rreth 2.000 euro në Holandë dhe më shumë se 2.000 euro në Britani. Duke e marrë koston mesatare vjetore për të gjithë studentët me 8.000 euro në vit rezulton se në vitin 2017, dolën nga Shqipëria për financimin e studimeve të studentëve shqiptarë, që studiojnë jashtë vendit, rreth 140 milionë euro (17.000 studentë e shumëzuar 8.000 euro/student në vit).
Një studim i financuar nga Westminster Foundation for Democracy (WFD) lidhur me koston e emigrimit të të rinjve shqiptarë vlerësonte se kostoja e përgatitjes së një personi në Shqipëri në vitin 2018 me edukim primar ishte 6.041 euro, me edukim sekondar ishte 9.267 euro dhe me edukim terciar ishte 18.283 euro.
Rrjedhimisht shpenzimet publike dhe familjare për përgatitjen e një studenti shqiptar jashtë vendit janë mesatarisht 37.267 euro (9.267 euro për edukimin sekondar në Shqipëri plus 28.000 euro për studimet universitare jashtë vendit). Duke supozuar se rreth 4.000 studentë përfundojnë studimet universitare në një vit dhe 94% e tyre nuk dëshirojnë të kthehen në Shqipëri, atëherë humbjet potenciale financiare të vendit janë rreth 140 milionë euro në vit. Ky është pa dyshim një proces varfërues për Shqipërinë.
Shanset e ulëta për kompensimin e kostove
Kosto financiare për vendin nga emigrimi i të rinjve mund të zvogëlohet, ose edhe të kompensohet, nëpërmjet dërgimit të remitancave ose në rast se kjo diasporë që krijohet, bashkëpunon me vendin e origjinës, duke sjellë know how.
Në këto kushte, emigrimi i studentëve që studiojnë jashtë, në vend që të varfërojë vendin e origjinës mund ta çojë atë drejt zhvillimit. Nuk është e rastit që edhe disa nga kundërshtarët më fanatikë të “Brain Drain” në botë kanë ndryshuar opinion. Për shembull, Jagdish Bhagwati, profesor në Universitetin e Kolumbia-s, i lindur në Indi, në vitet 1970, kërkonte taksimin e vendeve pritëse për të kompensuar humbjet nga “Brain Drain” për vendet e origjinës. Në vitin 1994 ai shkruante se vendet në zhvillim kanë ndryshuar mendim duke shpresuar të përfitojnë nga aftësitë/talentet e qytetarëve të tyre jashtë.
Gëdeshi thotë se, në rastin e Shqipërisë pyetja e dyfishtë që duhet të shtrohet është: kjo diasporë e re shkencore, e krijuar gjatë tre dekadave të fundit dhe në rritje të shpejtë, a dërgon remitanca financiare tek anëtarët e familjes dhe a bashkëpunon me institucionet akademike, shkencore dhe organizatat prodhuese në vend? Një studim i realizuar nga UNDP, në 2018, me një segment të diasporës shkencore shqiptare, evidentoi dy aspekte.
I pari është se, personat me arsim të lartë kanë të ardhura më të larta, por nuk ka evidenca statistikore se ata dërgojnë më shumë remitanca. Dy anketa të mëdha për remitancat, të realizuara më herët më 2010, tregojnë se emigrantët me nivel të lartë arsimimi, dërgojnë më pak remitanca për familjet në vendlindje. Kjo shpjegohet me faktin se në shumë raste familjet e tyre (kryesisht prindërit) në Shqipëri janë në gjendje të mirë ekonomike dhe nuk kanë nevojë për remitanca.
Studentët shqiptarë jashtë, 95% nuk duan të kthehen
Studiuesit Gëdeshi dhe King, në anketën e zhvilluar me studentët jashtë vendit, gjetën se gati 95% e tyre planifikojnë të qëndrojnë në vendet e studimeve pas përfundimit të shkollës.
“Ne i pyetëm studentët shqiptarë nëse i shikojnë studimet e tyre jashtë vendit, si një hap të parë për të jetuar jashtë vendit. Sipas anketës 69.9% thonë ‘Po’, 25% thonë ‘Ndoshta’ dhe vetëm 5.1% thonë ‘Jo’” – shprehen ata.
Por planet për të ardhmen nuk janë aq pesimiste.
Planet e ardhshme të studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë vendit, lidhur me kthimin në vendlindje, tregojnë se kemi të bëjmë me një “Brain Drain” të mundshëm. 50.5% e studentëve thonë se nuk synojnë të kthehen në Shqipëri në të ardhmen, 30.1% se do të kthehen pas një periudhe pune jashtë vendit, 12.8% kanë plane të tjera dhe 1.2% se do të kthehen për të studiuar pas një periudhe pune jashtë vendit.
Vetëm 4.6% thonë se do të kthehen për të punuar në vendlindje dhe 0.8% se do të kthehen për studime të mëtejshme. Ekspertët, pasi kanë mbledhur të dhënat sasiore, kanë vërejtur se 94.6% e studentëve shqiptarë që studiojnë në vendet e zhvilluara të OECD-së synojnë të mos kthehen në Shqipëri në të ardhmen e afërt. Ky fenomen do të ketë pasoja socio-ekonomike afatgjata në Shqipëri, pohojnë ata. /Monitor
Vriten 5 gazetarë palestinezë në Gaza, po transmetonin live ...
U thirr sot në SPAK, Veliaj: Kurth i sajuar, jam denoncuar n...
Nottingham Foresti e mposht Tottenhamin, ngritët përkohësish...
Hovenier në takim lamtumirës me Kurtin: Me bashkëpunimin më ...
Fulham i jashtëzakonisht, merr fitore në frymën e fundit nda...
Maqedonci: Nga 16 dhjetori ka filluar punën stafi i kuzhinie...