Hyn në fuqi rritja e pagave për mjekët dhe infermierët në Shqipëri

17:50 | 5 Prill 2023
E.H

Nga materniteti Mbretëresha Geraldinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri me dije reformën e pagave për mjekët dhe infermierët.

Ashtu siç kishte njoftuar edhe më herët, prej prillit bluzat e bardha do të përfitojnë një rritje prej 50 mijë lekë të reja për mjekët specialistë, duke bërë që paga bruto e një mjeku të shkojë mbi 220 mijë lekë në muaj së bashku me shërbimet spitalore.

“Kjo rritje pagash është pasqyra direkte e një rritjeje të qëndrueshme të ekonomisë. Kemi bërë një rritje te pagave me 50 mijë Lekë në muaj për mjekët specialistë”.

Një rritje prej 7 % përfitojnë mjekët e përgjithshëm dhe infermierët, ku sipas kreut të qeverisë, Shqipëria arrin nivelin me të lartë të pagave në rajon.

“Kemi një zotim për të mbajtur që do të rrisim 7 % pagë për mjekët dhe infermierët dhe në këtë rast kjo do të bëhet menjëherë sepse në harkun mes dy Prilleve do ta plotësojmë kuadrin.

Ministrja e Shëndetësisë tha se duke filluar nga viti tjetër edhe pagat e infermierëve do të rriten me 15 mijë lekë.

“Ne e kemi rritur prej pikënisjes me 63% pagat për personelin mjekësor dhe sigurisht kjo mbështetje do të vazhdojë gjatë këtij viti dhe vitin tjetër me mbështetje të targetuara në sektor”.

Shqetësimit për largimin e mjekëve, Rama tha se me reformën e pagave, ambicia e qeverisë është që paga mesatare të kapë vlerën e 900 eurove duke ndalur eksodin e bluzave të bardha.

“Nuk janë eurot e Gjermanisë, por edhe shtëpitë në Gjermani i kanë pak më të kripura, edhe transporti në Gjermani do më shumë euro, edhe kafet duan më shumë euro, ajo kafja e zezë. T’i marrë Gjermania dhe që të punojmë ne për të ushqyer me aq sa ushqejmë ne sistemin shëndetësor gjerman, kjo nuk shkon“.

Për të gjithë ata që do të përfitojnë bursa për studimet në mjekësi, Rama tha se do të detyrohen të që të qëndrojnë në Shqipëri në përfundim të studimeve.

Teksa vlerësoi punën e bluzave të bardha, Rama tha se është e pamerituar balta që hidhet për to./TvKlan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme