Hyn në fuqi marrëveshja Shqipëri – Angli, të burgosurit shqiptarë do transferohen në atdhe

22:00 | 19 Korrik 2023
K.B

Këshilli i Ministrave ka miratuar marrëveshjen e përbashkët me Britaninë për të burgosurit shqiptarë në Angli, të cilët do të transferohen për të kryer dënimin në atdhe.

Top Channel mëson se kjo marrëveshje pritet të firmoset nga të dyja palët në shtator ose nga kryeministrat Edi Rama dhe Rishi Sunak ose nga ministri britanik i Drejtësisë me homologun shqiptarë Ulsi Manja.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave, vendosi:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes zbatuese të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për transferimin e personave të dënuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në VKM.

Kjo marrëveshje mundëson kthimin e atyre që morën të drejtën e transferimit dhe të atyre që u kanë mbetur mbi 4 vjet dënim. Të burgosurit do të kryejnë pjesën e mbetur të dënimit të tyre pranë familjes. Kështu, 200 të burgosur shqiptarë në burgjet e Anglisë dhe Uells që vuajnë dënime prej katër vjetësh ose më shumë do të kthehen në dy vitet e ardhshme për të kryer pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare. Falë marrëveshjes, pala britanike do të paguajë kostot e strehimit të të burgosurve për gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit të tyre në Shqipëri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme