Humbën jetën nga tërmeti, nëna e 2 vëllezërve kosovarë: Rama nuk e mbajti premtimin që më dha

01:03 | 26 Nëntor 2020
Trina Galanxhi

Një vit më parë si pasojë e tërmetit që tronditi Shqipërinë, humbën jetën 51 persona. Mesin e viktimave të Durrësit u konfirmuan edhe dy kosovarë, Shemsedin e Isa Abazi nga Livoçi i Epërm i Gjilanit, të cilët humbën jetën nën rrënojat e hotelit “Tropikal”.

Pas vdekjes së tyre, njerëz dhe vullnetarë e ndihmuan familjen e tyre për ndërtimin e 3 shtëpive të reja, por nëna e tyre thotë se nga qeveria shqiptare nuk ka marrë asgjë përveç premtimeve. Në një rrëfim për Gazetën Express, ajo është shprehur se familja e saj është ndihmuar shumë nga qeveria e Kosovës, por jo nga ajo e Shqipërisë.

“Shteti jonë na ka ndihmu, por Edi Rama premtoi 16 mijë euro për gratë (bashkëshortet e djemve), por asgjë s’ju ka dhënë, e jo fëmijët me i shkollu deri në master qysh ka thanë. 16 mijë euro janë folë me jau dhënë grave, asnjë cent nuk jau ka dhënë. Për ndërtimin e shtëpive na kanë ndihmuar njerëzit. Zoti i shpërbleftë. Populli na ka ndihmu”, – tha ajo.

12 muaj pas ngjarjes së trishtë, Luljeta Abazi ditët i përshkruan katastrofike e netët pa gjumë. Djemtë nga Gjilani kishin marrë rrugën për Shqipëri me qëllimin që të gjenin punë e ta ndihmonin financiarisht familjen, por disa orë më vonë tërmeti lëkundi fort hotelin ku po qëndronin, nga i cili u nxorën pajetë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme