Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, gjatë një tryeze diskutimi me prefektët së bashku me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, adresoi disa nga problematikat që janë hasur gjatë sezonit veror dhe që kërkojnë zgjidhje për të ardhmen.
Hoxha tha se nevojiten masa konkrete për të përmirësuar sigurinë publike dhe për të rritur standardet e shërbimeve turistike në vend.
Ministri vuri theksin te nevoja për rritjen e masave të sigurisë në vijën bregdetare.
“Një nga problematikat e ndeshura ka qenë siguria në vijën bregdetare. Për fat të keq dhe gjatë këtij sezoni pati raste me pasoja fatale për shkak të përdorimit të mjeteve ujore. Kjo histori duhet të marrë fund. Duhet të merren masa nga bashkitë për gjetjen e vrojtuesve në plazhe”- tha Hoxha.
Ministri shprehu shqetësimin për operatorët që nuk përmbushin standardet, duke theksuar se “edhe këtë vit ka pasur operatorë abuzivë apo stacione plazhi që nuk përmbushnin standardet.”
Hoxha tha se sezonin e ardhshëm, “vetëm operatorët e licencuar dhe hotelet do të kenë të drejtë të shfrytëzojnë hapësirën bregdetare” duke siguruar më shumë “hapësira publike për qytetarët.”
Ministri bëri me dije se prioritet do të jetë edhe ndërtimi i rrugëve me standarde për akses më të mirë në pikat turistike.
“Një problem që kërkon zgjidhje është krijimi i kushteve për aksesin në pikat turistike, ku përfshihet ndërtimi i rrugëve me standarde”- tha Hoxha.
Ministri tha më tej se një problematikë tjetër që është vërejtur ka qenë menaxhimi i zjarreve dhe emergjencave.
Duke pasur parasysh “shirat e pritshëm të vjeshtës,” Hoxha u bëri thirrje prefektëve që “të jenë në krye të punës për marrjen e masave për përballimin e situatave emergjente,” duke nënvizuar nevojën për “riorganizimin e Komisionit për Mbrojtjen Civile në qarqe”.
“Nevojitet riorganizimi i Komisionit për Mbrojtjen Civile në qark për një bashkëpunim dhe koordinim të mirë”- tha Hoxha.
Hoxha tha se Policia e Shtetit ka bërë një punë të mirë në “luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike”.
“Kemi pasur fokus ndaj kultivimit të bimëve narkotike për shkak të pasojave afatgjata që sjell në shoqëri”- tha Hoxha.
Hoxha përmendi gjithashtu fokusin e Ministrisë së Brendshme në “paketën e sigurisë në shkolla.”
Në fund, Hoxha theksoi rëndësinë e përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme, duke përmendur rolin e prefektëve për “mbarëvajtjen e procesit elektoral që do të mbahet vitin e ardhshëm”./atsh.
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit