Google ADS

Hoxha: 20% më shumë buxhet se viti i kaluar për Ministrinë e Brendshme

14:11 | 5 Nëntor 2024
E.K

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha prezantoi sot projektbuxhetin për vitin 2025 në Komisionin për Sigurinë Kombëtare.

Hoxha tha se ky është buxheti më i madh, që ka pasur Ministria e Brendshme, me rritje 20%, krahasuar me një vit më parë.

“Ky është buxheti më i madh që ka pasur Ministria e Brendshme, me rritje 20%, krahasuar me një vit më parë”, ka thënë ai.

Në vlera nominale – sipas tij – buxheti i Ministrisë së Brendshme është 31 miliardë lekë, ose rreth 50 milion euro më shumë, krahasuar me vitin 2024.

Në fokus të tij ndërkohë, mbetet Policia e Shtetit.

Ministri Hoxha ka theksuar se buxheti garanton mbështetjen financiare për ushtrimin e përgjegjësive të strukturave në funksion të realizimit të objektivave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parashikon financimin e disa projekteve të rëndësishme në fushën e teknologjisë dhe informacionit për strukturën e Policisë së Shtetit.

Sa i përket shpenzimeve, veç pagave, mbulohen shpenzimet e personelit, “e në mënyrë të veçantë pagesa e mbikohës së punës dhe orët e natës për strukturat e Policisë së Shtetit; efekti financiar i kompensimit ushqimor të punonjësve të Policisë së Shtetit për një vlerë rreth 1 miliard lekë; efekti financiar për fillimin e projektit të ri për uniformën e punonjësve të Policisë së Shtetit pasi për uniformën aktuale kontrata përfundon më 31 Dhjetor 2024”.

Po ashtu, sipas tij, garanton shpenzimet e domosdoshme, mirëmbajtje pajisjesh e sistemesh të teknologjisë dhe informacionit, blerje materiale e shërbime të tjera të nevojshme, por në mënyrë të veçantë garantohet angazhimi i strukturave policore në garantimin e procesit për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

Shpenzimet për investime sakaq, janë parashikuar në shumën 2,8 miliard lekë, me një rritje prej 51% në raport me planin e buxhetit të vitit 2024.

“Gjithashtu buxheti 2025 garanton shpenzimet e domosdoshme, mirëmbajtje pajisjesh e sistemesh të teknologjisë dhe informacionit, blerje materiale e shërbime të tjera të nevojshme, por në mënyrë të veçantë garantohet angazhimi i strukturave policore në garantimin e procesit për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm”.

Projektbuxheti siguron gjithashtu financimin e projektit për Policinë e Shtetit, “Sistemi i Kamerave në administrim të Policisë së Shtetit-Smart City”. Ndër të tjera synon monitorimin dhe identifikimin në kohë reale të automjeteve, që qarkullojnë në akset rrugore të cilësuara me interes prioritar, si dhe në të gjitha Pikat e Kontrollit Kufitar.

“Objektivi i përgjithshëm i projektit është të rritet niveli i sigurisë publike dhe performanca e punonjësve të Policisë, duke instaluar sisteme elektronike për të monitoruar dhe kontrolluar sa më mirë territorin dhe duke siguruar informacionin për parandalimin dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale”.

Policia e Shtetit në buxhetin 2025 parashikohet të ketë një rritje në masën 22 % krahasuar me vitin 2024. Brenda kësaj rritje, investimet janë në shumën 2,4 miliardë lekë, ose me rritje 48 %, në raport me planin e buxhetit të këtij viti.

Buxheti për shpenzimet është në shumën rreth 5,1 miliardë lekë, me një rritje prej 41 % në raport me planin e buxhetit të vitit 2024.

“Sa i përket Gardës së Republikës, kemi parashikuar një rritje në masën 13 %, sipas zërave të shpenzimeve, të ndara sipas nevojave që janë paraqitur nga Garda e Republikës, të cilat përfshijnë blerje mjetesh, integrim të sistemeve të sigurisë dhe vëzhgimit me kamera të objekteve nën ruajtje”.

Për sa i përket shërbimit të Gjendjes Civile, ministri theksoi se, “në zërin e investimeve ka një rritje prej 55 %, për të përmbushur gjithë detyrimet që parashikon kuadri ligjor, për përmirësimin e infrastrukturës hardware dhe software të Regjistrit Kombëtar të GJC, por edhe gjithë detyrimet në kuadër të përgatitjeve për procesin elektoral të pranverës së ardhshme”.

“Buxheti për programin “Prefekturat dhe funksionet e deleguara”, shënon një rritje prej 8 %, duke synuar forcimin e rolit të Prefektit dhe Këshillave Vendorë të Sigurisë” u shpreh ai./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme