Google ADS

Holanda: Do punojmë me Shqipërinë për shqetësimin që sjell azili dhe krimi i organizuar

15:36 | 3 Korrik 2019
A. B.

Komisioni Evropian ka hedhur poshtë kërkesën e bërë nga parlamenti i Holandës disa javë më parë për rikthimin e regjimit të vizave mes shtetit evropian dhe Shqipërisë, ndërsa këtë të mërkurë ka reaguar zyrtarisht në lidhje me lajmin dhe ambasada e Holandës në Tiranë.

Përmes një njoftimi, ambasada vë në dukje përgjigjen refuzuese nga ana e KE-së, e cila ka argumentuar se nuk plotësohen kushtet tenike për rikthimin e vizave. Në njoftim ambasada duket se pranon verdiktin e KE-së, por nga ana tjetër vë theksin se puna dhe bashkëpunimi me Shqipërinë do të vijojnë, veçanërisht për të adresuar shqetësimin e shtetit të Holandës mbi azilkërkimin dhe luftën për krimin e organizuar, dy prej pikave kryesore që e çuan shtetin evropian në kërkesën për rikthim të vizave.

NJOFTIMI:

Në datën 1 korrik, Ministri i Punëve të Jashtme të Hollandës ka marrë një përgjigje nga Komisioni Europian në lidhje me letër-kërkesën e dërguar në datën 31 Maj 2019.

Në këtë letër, Komisioni ka dalë në përfundimin se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar.

Sinjali që vjen nga letër-kërkesa vijon të jetë i rëndësishëm. Holanda do të punojë me Shqipërinë për të parë se si shqetësimet tona në lidhje me krimin e organizuar, aplikimet e pabazuara për azil dhe klandestinët që përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të Holandës mund të adresohen në mënyrë më efikase.

Ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të mirë me palën Shqiptare dhe e shohim si thelbësore adresimin e këtyre çështjeve”, thekson njoftimi i Ambasadës së Holandës në Shqipëri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme