HIV/AIDS, 1200 të infektuar, vetëm këtë vit, 92 raste

15:37 | 1 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Që prej vitit 1993, kur edhe u diagnostikua rasti i parë i prekur me HIV/AIDS në Shqipëri, janë regjistruar 1195 persona të infektuar.

Ndonëse Shqipëria mbetet një vend me prevelancë të vogël, shqetësues është fakti i diagnostikimit në kohë të personave të prekur nga virusi vdekjeprurës.

Vetëm gjatë vitit 2018 janë diagnostikuar 92 raste të reja, ndërmjet të cilëve dy fëmijë nën moshën 15 vjeç.

Ekspertët vlerësojnë se testimi vullnetar i shqiptarëve ndaj virusit të HIV/AIDS mbetet në shifra të ulëta, çka do të thotë se kërkohet të rriten shërbimet si dhe të mos ketë mungesë të reagentëve për testim.

Ndërkohë, edhe pse jemi në vitin 2018, stigma mbetet një pengesë kryesore për individin për të kryer një analizë gjaku që kontrollon pikërisht nëse je i prekur ose jo nga virusi.

Kjo ka bërë që edhe numri i vdekjeve të jetë në shifra të larta. Vetëm gjatë vitit 2018 kanë humbur jetën 20 persona të infektuar, 10 prej të cilëve i përkasin personave që u diagnostikuan po këtë vit, që do të thotë se virusi ka qenë në stadin më të fundit, AIDS, kur dhe është diagnostikuar.

Ajo që mbetet problem në Shqipëri është transmetimi vertikal i virusit, pra kalimi i tij nga nëna tek fëmija. Numërohen gjithsej 44 fëmijë të infektuar nga nëna, dy prej të cilëve vetëm gjatë vitit 2018.

Ekspertët vlerësojnë se rritja e numrit të rasteve të infektuara nga nëna te fëmija kërkon një program të veçantë të kontrollit të virusit HIV tek gratë shtatzëna si dhe testim të tyre, si gjatë kujdesit të paralindjes, ashtu edhe gjatë lindjes. Në vitin 2015 është miratuar një udhëzues për këtë qëllim, por nuk zbatohet.

Në vendin tonë, HIV/AIDS mbetet një sëmundje urbane, pasi numrin më të lartë të të prekurve e mban Tirana me 6.4 për çdo 10 mijë banorë. Më pas, vjen qyetati i Lezhës me 5 për 10 mijë banorë dhe në vend të tretë renditet qyteti i Vlorës./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme