Mohamed Matwa nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të vinte një ditë që të jetonte në Shqipëri.
Siriani 29-vjeçar nga periferia e Damaskut ëndërronte të bëhej psikolog, por lufta shpërtheu, ai duhej të ndërpriste studimet për të filluar jetën e refugjatit. Stacioni i parë Libani. Odiseja e jetës së një refugjati do të kishte vazhduar edhe më tej, nëse në një vend të panjohur për Mohamedin, në Shqipëri nuk do të jetonte një vëlla që kishte vendosur para vitesh të bënte biznes aty. Husam Matwa jeton në Tiranë, flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, e ka marrë edhe pasaportën shqiptare.
Me ndihmën e vëllait të madh, Mohamedi erdhi në Shqipëri, ku jeton prej afër dy vitesh. “Jeta ime ka ndryshuar drejtimin, jo ashtu siç e kisha përfytyruar unë, por edhe tani jam i kënaqur”, thotë Mohamedi, që punon ndërkohë në restorantin e sapo hapur të vëllait në Vorë, pranë Tiranës.
Një kohë edhe Mohamedi mendonte të vazhdonte udhëtimin drejt Gjermanisë, tek një vëlla tjetër që kishte ardhur si refugjat. “Por kur dëgjova për vështirësitë që kishin refugjatët aty, mendova se është më mirë të rri këtu”, thotë ai. Vështirësi në Shqipëri atij i paraqet vetëm shqipja, një gjuhë e vështirë, thotë ai, por jo njerëzit. “Shqiptarët janë miqësorë, të gatshëm për të ndihmuar, si në Siri, edhe moti është gati njësoj.”
Mohamedi nuk e di ende, nëse Shqipëria është stacioni i tij i fundit, por në gjë është e sigurtë. Rrugës për në veri të Europës ai nuk do t’i hyjë më. “Tani për tani do të jetoj këtu, por kur të përfundojë lufta në Siri, do të kthehem atje. Por që tani e di, se kam dy atdhe, veç Sirisë kam edhe një atdhe tjetër, Shqipërinë.”
Në Shqipëri erdhi jo vetëm Mohamedi. Edhe vëllai i mesëm, Ali Matwa, 33 vjeç jeton tani në Vorë, dhe punon si elektriçist në restorantin e vëllait. Para dy vitesh ai jetonte në Stamboll, një jetë që nuk do donte ta përsëriste. “Edhe në Shqipëri mund të jetohet mirë”, buzëqesh ai, e shton se do t’u thoshte refugjatëve sirianë në Gjermani të vinin ta vizitonin këtë vend.
A luan rol për familjen myslimane edhe feja në këtë ambientim të shpejtë me Shqipërinë? Ali Matwa gjen paralele me Sirinë në këtë drejtim. “Këtu myslimanët dhe të krishterët jetojnë mirë me njëri-tjetrin, si tek ne dikur. Tani tek ne nuk është më kështu, por këtu ti nuk shihesh shtrembër se je mysliman apo një i krishterë.”
Vëllai shpëtimtar i familjes, Husam Matwa e di se rasti i familjes së tij nuk është tipik. Shumë refugjatë janë të gatshëm të paguajnë para tek kontrabandistët për të shkuar në Europë. Por ne ky vend na e ktheu shpresën, thotë ai. “Shqipëria mund të jetë e varfër, jo aq e pasur sa Gjermania, por është e pasur me njerëzillëk”, thotë Husam Matwa./DW
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...