Himara voton të dielën, materialet zgjedhore gati për shpërndarje

11:16 | 3 Gusht 2024
K.B

Banorët e Himarës do i drejtohen kutive të votimit të dielën, për të zgjedhur kryetarin e tyre mes kandidatëve Vangjel Tavo dhe Petro Gjikuria.

Janë rreth 23 mijë qytetarë me të drejtë vote në bashkinë jugore.

Një ditë më parë Komisioni Qendror Zgjedhor mundësoi mbërritjen e materialeve zgjedhore. Votimi do të kryhet nëpërmjet identifikimit elektronik të zgjedhësve, ndaj për këtë proces janë dërguar edhe pajisjet përkatëse me kamerat monitoruese.

Zëvendëskryetarja e KZAZ-së nr. 88, Irina Bejdo, deklaroi të shtunën për RTSH se deri tani procesi ka qenë i rregullt dhe përgatitjet për orën 15:00, kur do të kryhet shpërndarja, janë drejt fundit.

Qendrat e votimit më të largëta në bashkinë e Himarës janë ato të Horë-Vranishtit. Fshati Tërbaç, rreth 60 minuta larg KZAZ-së, po bën gati edhe monitorët e numërimit në 4 tavolina.

36 qendrat e votimit nesër do të hapen në orën 07:00 dhe do mbyllen në 19:00.

Të ngjashme