Për më shumë se 4 orë, një pjesë e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë ishte një skenë krimi për policinë.
Uniformat blu dyshojnë se gjatë mitingut të Partisë Demokratike, pasditen e së shtunës, në turmën e njerëzve është hedhur një substancë kimike, që ka shkaktuar shqetësime shëndetësore tek pjesmarrësit në tubim.
Për këtë arsye, specialistët e krimeve ndaj jetës kanë nisur hetimet, të mbështetur edhe nga prokuroria dhe Garda e Republikës. Në vendngjarje mbërritën edhe kimistët e ushtrisë, të cilët, në bashkëpunim me ekspertët kriminalistë, u përpoqën të mblidhnin prova. Por, gjatë kqyrjes së bulevardit dhe trotuareve pranë Kryeministrisë, ekspertët nuk gjetën asnjë sendiment të dyshimtë, pasi skena e krimit nuk u ngrit menjëherë pas mitingut nga policia, por në 7 të mëngjesit, kohë pasi punonjësit e bashkisë kishin pastruar sipërfaqen që në të gdhirë.
Megjithatë, ekspertët kanë mbledhur prova të tjera rrethanore, përfshirë veshjet e simpatizantëve në miting, të cilat janë dërguar në laboratorin shkencor për t’iu nënshtruar analizave. Në hetime janë përfshirë edhe Drejtoria e Antiterrorit dhe Kundërzbulimi i Shërbimeve Inteligjente, pasi nuk përjashtohet as mundësia e ngjarjes me qëllim destabiliteti nga faktorë të jashtëm.
Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se janë 76 persona të cilët janë paraqitur në spitalin francez, në QSUT, me shenja të helmimit (intoksikacion) si: skuqje, kruarje dhe djegie të syve, irritim në fytyrë dhe qafë, dhe në disa raste edhe vështirësi të lehta në frymëmmarrje. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga 76 të mbërriturit në spital në orët e para të mëngjesit të së dielës, deri në mesditë 9 persona kanë qenë të shtruar, ndërsa zyra e shtypit në QSUT raporton një tjetër shifër, që është e ndryshme nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas QSUT, numri i të shtruarve është 5, jo 9.
Mes pacientëve të prekur nga këto shqetësime ka qenë edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha, i cili, sipas PD-së, është paraqitur në QSUT në orën 05.00 të mëngjesit të së dielës, ku ka marrë mjekimin e nevojshëm dhe u largua pas dy orësh. Basha anuloi pjesëmarrjen në takimet e programuara gjatë së dielës në zonën e Lushnjes. Burime nga spitali, por edhe Partia Demokratike, konfirmuan se simptoma të ngjashme ka pasur edhe vajza e vogël që Basha mbante në krah gjatë hapjes së fushatës, të shtunën pasdite.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë është vënë në lëvizje për evidentimin e rasteve edhe në spitalet rajonale dhe qendrat e tjera shëndetësore dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit dhe Drejtorinë e Policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, shkruan TCH.
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist