Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, deklaroi sot se, Shqipëria është rreshtuar me partnerët e saj euroatlantikë në mbrojtje të integritetit të Ukrainës.
Në prezantimin e projektligjit “Për ratifikimin e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës” në seancën plenare të Kuvendit, Hasani tha se, “marrëdhëniet mes dy vendeve kanë filluar të zhvillohen cilësisht dhe të intensifikohen veçanërisht pas agresionit rus të vitit 2014 me pasojë aneksimin e Krimesë”.
Ministria tha se, “këto marrëdhënie kulmuan me vizitat e Kryeministrit Rama në Kiev, me vizitën e Presidentit Zelensky në vendin tonë dhe bashkë organizimin me kryeministrin Rama të Samtit Ukrainë-Evropë Juglindore në Tiranë në fund të shkurtit të këtij viti”.
“Të dyja vendet tona janë kandidate për t’u anëtarësuar në BE dhe Shqipëria mbështet aspiratën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, kur kushtet ta lejojnë”, tha Hasani.
Ministri u shpreh se, “firmosja e Traktatit gjatë kësaj vizite konfirmoi më së miri këtë nivel marrëdhëniesh si dhe mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës”.
“Shqipëria është rreshtuar me partnerët e saj euroatlantikë në mbrojtje të integritetit të Ukrainës dhe respektimit të normave themelore ndërkombëtare dhe vlerave demokratike dhe njerëzore”, theksoi Hasani.
Hasani nënvizoi se, “Shqipëria ka mbështetur pa rezerva Formulën e Paqes, planin me 10 pika të presidentit Zelensky si rrugëdalje t ë vetme nga konflikti dhe konkretisht jemi zotuar të jemi pjesë e pikës 5 të këtij plani, i cili i dedikohet integritetit territorial në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Formula e Paqes do të jetë pjesë qendrore e Samitit të thirrur nga Zvicra dhe Ukraina, që do të mbahet po në Zvicër në mes të qershorit. Në samit Shqipëria do të përfaqësohet me nivelin më të lartë shtetëror të saj”.
Ministri Hasani theksoi se, “ky traktat miqësie shprehu vullnetin më të lartë politik dhe shërben si një bazament e garanci për intensifikimin e bashkëpunimit dy e shumëpalësh në të gjithë sektorët me interes reciprok. Të dyja palët janë të një mendje se potenciali i shkëmbimeve është i konsiderueshëm dhe se është i nevojshëm konsolidimi e gjetja e rrugëve për shfrytëzimin e tij”.
“Traktati vë themelet politike për një partneritet afatgjatë, konstruktiv dhe të mbështetur në vlerat e përbashkëta humane dhe miqësie. Përmes tij palët konfirmojnë respektin reciprok dhe dëshirën për zbatimin e parimeve dhe normave demokratike që ndërtojnë vendet sovrane, të cilat inspirohen nga idealet e përbashkëta për liri, demokraci, solidaritet dhe dinjitet”, tha Hasani.
“Traktati krijon kuadrin e nevojshëm për ngritjen e mekanizmave të përbashkët për dialog të ndërsjellët duke filluar si nga nivelet më të larta politike, ashtu dhe në nivel më të ulëta. Palët zotohen se do të krijojnë kushte të favorshme në bashkëpunimin ekonomik me interes të ndërsjellët dhe se do të mbështeten tek njëra-tjetra në sistemin shumëpalësh ekonomik botëror, do të nxisin investimet e bashkëpunojnë në fusha thelbësore si energjia, bujqësia, telekomunikacioni, minierat, transporti, ndërtimi, përpunimi i ushqimit, industria farmaceutike, mjedisi apo shërbimet profesionale”, theksoi Hasani.
“Palët gjithashtu zotohen për t’i dhënë përparësi shkëmbimeve të ndërsjella kulturore, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë në art dhe në kulturë. Prioritet në këtë Traktat i jepet gjithashtu bashkëpunimit në ruajtjen e forcimit të shtetit të së drejtës si dhe bashkëpunimit ushtarak”, tha Hasani./atsh/
”Ti je ma rrugaçe se unë”, Përplasen sërish Driloni e Xhenet...
Aksident mes tri automjeteve në Prishtinë, lëndohen dy perso...
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...
Mbyllet për një vit, Rama: TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kër...
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...