Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së dhe njëherësh kryetar i grupit parlamentar të miqësisë me Gjermaninë, Taulant Balla, po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Gjermani, me ftesë të Presidentit të Bundestag-ut, z. Wolfgang Schauble.
Me vizitën në Bundestag, Kryetari i Kuvendit nisi veprimtarinë e tij lobuese me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së për çeljen e negociatave në qershor 2019.
Gjatë takimit me Presidentin Schauble, Kryetari Ruçi e vlerësoi atë si “një mik të madh të Shqipërisë” dhe i shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e Bundestag-ut, qeverisë, Kancelares Merkel dhe atij personalisht, në kuadër të vendimit të Këshillit Europian për rekomandimin për çeljen e negociatave në qershor 2019.
“Populli shqiptar ushqen ndjenja të thella të miqësisë dhe respektit për popullin gjerman dhe Gjermaninë, si lokomotiva ekonomike dhe politike e Europës. Çelja e negociatave të anëtarësimit është beteja jonë kryesore këtë gjashtëmujor dhe Kuvendi, qeveria, institucionet dhe qytetarët shqiptarë janë unanimisht në mbështetje të këtij procesi. Mbështetja e Gjermanisë për integrimin europian të Shqipërisë është shumë më tepër se mbështetja e nje vendi anëtar të BE-së. Prandaj ne po punojmë që të realizojmë këtë qëllim strategjik kombëtar, duke e merituar mbështetjen e Gjermanisë me avancimin e agjendës integruese dhe realizimin e objektivave në të gjitha prioritetet”,- u shpreh në takim Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
Ndërsa z. Schauble, gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, u shpreh: “E Ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor është në BE. Fillimi i bisedimeve për anetarësim është fillimi i një procesi transformimi të thellë”.
Z. Ruçi theksoi në takim vendosmërinë e palës shqiptare për të intensifikuar përpjekjet, në mënyrë që të avancojmë me agjendën e reformave që lidhen me integrimin në BE, duke listuar si prioritare për vendin: reformën në drejtësi, forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Z. Ruçi shprehu gjithashtu gatishmërinë e palës shqiptare për të vazhduar bashkëpunimin me Gjermaninë si “partnerë strategjikë”, në të gjitha fushat dhe vendosmërinë e Shqipërisë që bashkëpunimi i shkëlqyer politik të konkretizohet edhe në rritjen e nivelit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona.
Kryetari i Kuvendit e informoi Presidentin e Bundestag-ut mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe nënvizoi se kjo reformë po shënon arritje të prekshme. “Vetting-u, si një proces kurajoz dhe unik po kontribon për të ndërtuar një sistem drejtësie profesional, të paanshëm dhe me integritet. Reforma në drejtësi i ka tejkaluar kushtet e vendosura nga Bundestag për Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë 92 vendime, nga 57 të parashikuara në listën prioritare të gjyqtarëve e prokurorëve. Shumica e organeve të reja të qeverisjes së sistemit janë krijuar ose plotësuar dhe ky proces do të përfundojë brenda pak muajve të ardhshëm”,- i tha z. Ruçi Kryetarit të Bundestag-ut.
Kryetari Ruçi vuri në dukje se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE dhe nënvizoi rëndësinë e një marrëveshjeje të dy vendeve për garantimin e një të ardhmeje europiane.
Kryetari i Kuvendit falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e kandidaturës së vendit tonë për kryesinë e OSBE-së për vitin 2020 dhe përgëzoi Presidentin e Bundestag-ut për sigurimin nga Gjermania të një vendi jo-permanent në Këshillin e Sigurimit për mandatin dyvjeçar 2019-2020, për të cilën pati edhe mbështetjen dhe votën e Shqipërisë.
Takimi midis Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi dhe Presidentit të Bundestag-ut, z. Wolfgang Schauble rikonfirmoi vullnetin e Gjermanisë për fillimin e negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë, si incentiv për stabilizimin, demokratizimin, zhvillimin e prosperitetin e rajonit, por edhe si një sinjal inkurajues për shqiptarët.
Në takim u theksua se rruga drejt pranimit në BE është ende e gjatë dhe e lidhur me kushte të qarta. Në këtë kontekst, pala gjermane inkurajon vazhdimin e këtyre proceseve, ruajtjen e qëndrueshmërisë së tyre dhe përdorimin me efiçencë të kohës se mbetur.
Sot shqyrtohet në komision ligji i kthyer për rishqyrtim nga...
Sonte rikthehet Liga e Kampionëve me nëntë ndeshje në progra...
Sot protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të QKUK-së
Shtëpia e Bardhë: Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e P...
Donald Trump: Do të rris tarifat për Kanadanë, Meksikën dhe ...
“Travel and Tour World”: Shqipëria, një yll në rritje në tur...