Google ADS

Hapet fushata zgjedhore në Shqipëri, ndërkombëtarët apelojnë për qetësi

13:52 | 14 Prill 2023
A. B.

Sot nis zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit në Shqipëri.

Edhe pse aktualisht fushata ka filluar prej disa ditësh, nga të dyja kampet me prezantimin e kandidatëve dhe takime me qytetarët, referuar kodit zgjedhor, fushata zyrtarisht nis nga kjo e premte dhe po ashtu nga sot nis edhe monitorimi i mediave.

Rithemelimi i Sali Berishës ka konfirmuar hapjen e fushatës mesditën e së shtunës, me një miting në Air Albania, ndërsa socialistët kanë zgjedhur një mënyre tjetër të të bërit fushatë, pa mitingje, pa zhurmë, por me mbjelljen e pemëve në të gjitha bashkitë, ashtu siç u bë edhe në kryeqytet. E teksa, gara është hapur, ndërkombëtarët, apelojnë për një fushatë paqësore.

Prezenca e OSBE-së në Tiranë apelon partitë politike që të respektojnë ligjin dhe rekomandimet e ODIHR. Në mesazhin e shpërndarë, u kërkohet subjekteve që në takimet elektorale të jenë konkurruese me prezantimin e programeve dhe sa më konstruktive.

OSBE-ja thekson se duhet të hidhet një hap drejt forcimit të demokracisë në nivel vendor.

I njëjti apel erdhi edhe nga presidenti i Republikës, Barjam Begaj, i cili në prani të ndërkombëtarëve apeloi për një proces zgjedhor demokratik. /A2news

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme