Pas 19 vitesh kur fluturoi avioni “MIG” i fundit, baza ajrore e Kuçovës është rihapur duke u vënë në dispozicion të NATO-s.
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi tha se kjo bazë do t’i shërbejë aleatëve jo vetëm për mbrojtjen e vendit tonë, por të gjithë rajonit, në një kohë kur rendi botëror është prishur për shkak të agresionit rus.
Tashmë në këtë bazë, tha Peleshi, “do të dëgjohet jehona e avionëve të NATO-s”, ndërsa shtoi se Shqipëria do të krijojë flotën e saj ajrore dinjitoze në funksion të mbrojtjes së vendit por edhe aleatëve.
“Sot, deklarojmë zyrtarisht rihapjen e Bazës Ajrore të Kuçovës, e cila përbën një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri dhe do të shërbejë si një bazë ajrore taktike dhe operacionale për Aleancën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Mbi këtë pistë, MIG-u i fundit ka fluturuar pothuaj 19 vite më parë. Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve NATO, mbrojtësve të qiejve tanë, në dekadën më të rrezikshme të historisë moderne të rajonit dhe të mbarë Europës. Ndjenja e krenarisë që sot provojmë është më se e ligjshme, jo vetëm për rezultatin e dukshëm të një ekipi të jashtëzakonshëm ekspertësh dhe teknikësh që kanë punuar ditë e natë për rigritjen e kësaj baze, por edhe për faktin se një vend i vogël si Shqipëria ka nderin dhe privilegjin ti ofrojë Aleancës këtë aset të vyer në skemën e saj të mbrojtjes kolektive.
Kuçova do të shërbejë si baza kryesore për Forcat tona Ajrore, për të cilat vëmendja dhe investimi nuk do të rreshtin deri në krijimin e një flote dinjitoze në shërbim të mbrojtjes së popullsisë sonë, por edhe të aleatëve tanë. Helikopterët Black Hawk dhe dronët Bayraktar, te siguruar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Turqisë, janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimin nga kjo bazë. Numri i tyre do të shtohet ndjeshëm, në një të ardhme të afërt. Dhe për këtë qëllim po punohet fort! Konsiderojeni këtë bazë si një pikë strategjike të rëndësishme për operacionet tuaja në mbështetje dhe mbrojtje të paqes, si dhe për misionet dhe operacionet e Aleancës sonë. Por, gjithashtu, kjo bazë ka kapacitetin e nevojshëm për të mbështetur përpjekjet tona të përbashkëta në përballje me fatkeqësitë natyrore. Pozicioni gjeografik i favorshëm mund ta kthejë këtë vend në një nyjë lidhëse të vlefshme për të gjitha vendet e rajonit tonë. Në këtë kontekst, ndihma dhe mbështetja që Shqipëria mund të japë për vendet fqinje na bën të ndihemi më të vlefshëm se kurrë, por edhe më të përkushtuar se kurrë për të qenë në lartësinë e duhur përballë çdo situate”, tha Peleshi.
Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një investim madhor prej 50 milionë eurosh nga aleanca dhe më shumë se 5 milionë euro të investuara nga qeveria shqiptare.
Kjo bazë ka një infrastrukturë moderne për flotën e Shqipërisë të helikopterëve e dronëve të armatosur dhe avionët luftarakë të Aleancës, e cila i jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike./rtsh.al/
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...