Renditja e papërshtatshme apo eleminimet në listën e kandidatëve të PS-së për emra të njohur të politikës, sipas Ramës nuk duhet të shpjegohen me hatërmbetjet apo inatet e vjetra që ai ka me deputetët socialistë. Gjithsesi rreziku apo largimi i disave prej tyre nuk është rastësi. Në 4 vitet e fundit, në një parti ku nuk zhvillohen zgjedhje, ku nuk funksionojnë strukturat dhe ku mendimi ndryshe është herezi karrierat reduktohen tek marrëdhënia personale që secili vendos me kryetarin. Pikërisht për këtë, ia vlen të kujtohen situatat kur njëri apo tjetri kanë dalë nga rreshti duke provokuar pakënaqësinë e Edi Ramës.
Fatmir Xhafaj në vendin e 23-të në listë
Megjithëse u gjend në qendër të një furtune akuzash nga opozita për çështjen e të vëllait, Fatmir Xhafaj refuzoi të jepte dorëheqjen nga Ministria e Brendshme disa vite më parë. Në përgjigje të kërkesës që iu bë nga Rama për t’u larguar, në fund të mandatit të Xhafajt si ministër, u vu në zbatim një prej aksioneve më të forta policore, “Volvo 4”, që ishte zgjatim i dosjes hetimore 339.
Në këtë operacion u arrestua ish deputeti i PS, Arben Çuko, ish deputeti i PS Arben Ndoka dhe një prej personazheve të dosjes 339, Altin Avdyli, i cili kishte kontribute në fitoren e PS në Durrës. Pak para shkarkimit të Fatmir Xhafajt u fol edhe për arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakos. Por nuk kaluan disa orë nga operacioni dhe Xhafaj u shkarkua.
Në një takim me socialistët e Lushnjës, kryeministri Rama foli për kufizimin e lirisë kur je në një parti dhe për njerëz që i gjuajnë shtëpisë me gurë. “Tani nuk je më e lirë se brenda në parti nuk i bën dot të gjitha. Se ka ca që thonë jam i lirë, jam i lirë. Je i lirë, po nuk i gjuan dot me gurë shtëpisë ku rrimë të gjjthë. Po gjuajte, ik dil nga shtëpia”, u shpreh Rama duke iu referuar Fatmir Xhafajt.
I mllefosur me shkarkimin, Fatmir Xhafaj iu përgjigj flakë për flakë, duke e shënjestruar Ramën si njeri të lig, të cilin ai e neveriste. “Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që nuk mund të kuptojë dot se ka edhe njerëz në politikë, që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time. Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo” – u shpreh Xhafaj.
Pandeli Majko, numri 19 në listë
Preteksti i Pandeli Majkos për heshtjen pas prishjes së Teatrit Kombëtar është emblematik dhe frymëzoi meme pa fund. Arsyeja që ai dha ishte se “Duke mos vajtur te dentist qe një fat i madh që unë bëra dy ndërhyrje kirugjikale në zonën e gojës dhe në atë kohë që kasha qejf të flisja nuk fola kështu që tani është e kotë. Ç’kisha për të thënë, e kam thënë”.
Por më herët, Majko e kishte dhënë qëndrimin e tij duke mos e votuar ligjin që kaloi në parlament me 74 vota dhe për të cilin socialistët kishin përballë jo vetëm opozitën, por edhe opinionin publik. Mazhoranca e votoi tre herë ligjin në Parlament dhe po kaq i vendosur në qëndrimin e tij, ishte Ministri i Diasporës, Pandeli Majko.
Megjithëse kolegët e tij votuan pro shembjes së Teatrit Kombëtar, Ministri Majko, nuk mori pjesë në votim dhe u largua në mënyrë demonstrative nga salla pas një debati me kryeministrin Rama, debat i cili u kap edhe nga kamerat e pranishme në seance dhe që mund të shihet këtu.
Mimi Kodheli, në vendin e 21
Shkaqet e ftohjes mes Mimi Kodhelit dhe Ramës mund të konsiderohen një mister. Që pas shkarkimit si Ministre e Mbrojtjes u pa se marrëdhënia mes të dyve nuk ishte ajo e mëparshmja. Megjithatë Kodheli nuk ka guxuar asnjëherë të shprehet kundër vendimeve të qeverisë, kundër ligjeve që Rama ka sjellë në parlament, apo kundër zgjedhjeve që ka bërë kryetari në parti. I vetmi rast kur ajo guxoi të dalë nga rreshti ishte kur votoi kundër ndryshimeve në qeveri në dhjetor të vitit të kaluar.
Por menjëherë pas kësaj, Kodheli u shpjegua me një pretekst qesharak për qëndrimin e saj. Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme u shpreh se kishte votuar kundër ndryshimeve në qeveri pasi nuk kishte vendosur syzet dhe kishte bërë një lapsus.
“Ka qenë në një lapsus, jam në një moshë që kam nevojë për syze, dhe në atë moment nuk i kam pasur syzet ndaj ndodhi ky lapsus. Për të dy personat do kisha ngritur të dyja duart për detyrën që morën. Milvën madje e kam shoqe fëmijërie”, tha Kodheli në një prononcim në emisionin “Open”.
Në seancën parlamentare, u votua emërimi i Blendi Çuçit, Minister i Brendshëm, një post për të cilin ishte përfolur edhe emri i Kodhelit.
Ditmir Bushati, i larguar nga lista e kandidaturave
Një nga momentet kyçe kur Bushati iu kundërvu Ramës ishte për idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë e ka kundërshtuar fort “korrigjimin e kufijve”, duke e quajtur një ide të promovuar nga forca të prapambetura në Serbi. Vetë Rama e ka pranuar se me Bushatin ka pasur debate të gjata në lidhje me këtë çështje, për të cilën nuk e gjetën asnjëherë gjuhën e përbashkët. Kjo mendohet se ishte edhe çështja që u bë shkak për largimin e Ditmir Bushatit nga qeveria.
Por, ndryshe nga kolegët e tij që e kishin kuptuar tashmë se PS e drejtuar nga Rama ishte shndërruar në një kazermë, Ditmir Bushati zgjodhi rrugën tjetër, atë të denoncimit dhe të thënies të disa të vërtetave që të gjithë i dinë në parti, por që askush nuk guxon t’i thotë. Pikërisht për këtë mosbindja e tij me Ramën nuk është episodike. Bushati zgjodhi të denoncojë marrëdhënien e ngushtë të Ramës me oligarkinë dhe këtë e bëri nga foltorja e parlamentit.
“Çfarë duam të bëjmë, një realitet si Dhërmiu dhe Palasa? Nuk i kuptojmë ne gabimet tona? Ku një grusht të pasurish jetojnë në mënyrë ekskluzive dhe nga taksat tona shkon rruga, energjia dhe uji? Unë kam respekt për kapitalin, i heq kapelën çdo biznesmeni të ndershëm shqiptar, por ne duhet të ndahemi me oligarkinë”, është shprehur Bushati në parlament.
Më pas denoncoi marrëdhëniet e Ramës me krimin, që sipas tij kryesocialisti e kishte kthyer në një model. Deklaratat e tij u bënë pas largimit të Valdrin Pjetrit si kandidat për Bashkinë e Shkodrës.
“Është fakt që ne gabuam në Shkodër. Kjo nuk ka të bëjë thjeshtë dhe vetëm me kandidatin që ne ofruam në zgjedhjet e 30 qershorit por mendoj se në Shkodër ka dështuar modeli ynë. Një qytet i cili i ka rezistuar komunizmit, i ka rezistuar pushimeve të ndryshme, e ka mposhtur frikën qoftë përmes pentagramit apo humorit të hollë, sot nuk i nënshtrohet dot krimit, influencës së krimit. Qoftë edhe kur kjo influencë mund të vijë përmes politikës. Në rast se nuk adresojmë rrënjët e këtij fenomeni bëjmë gabim të merremi me kandidatin. Ne duhet të adresojmë rrënjët e këtij fenomeni. Duhet t’i bëjmë pyetjen vetes pse në tryezat tona u kthyen njerëz të cilët, partnerët tanë strategjikë, SHBA, i konsiderojnë si të papërshtatshëm. Çdo gjë tjetër është pasojë e këtij fenomeni”, është shprehur Bushati./Lapsi.al/
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...