Google ADS

“Hajdut, kriminel, halabak”, gjithçka nga parlamenti shqiptar

00:31 | 4 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

Java që lamë pas ishte e mbushur me momente gazmore.

Rubrika humoristike e emisionit “Kjo javë” në News 24 ka mbledhur disa prej tyre.

Disa prej momenteve kryesore ndodhën gjatë seancë parlamentare të së enjtes, me revoltën e opozitës dhe gajasjet e qeveritarëve.

Një moment pikant ishte kur opozita në seancën e fundit parlamentare na kujtoi filmin shqiptar “Lulëkuqet mbi mure” me bllokimin e foltores në Kuvend e duke përplasur duart në tavolina nën shprehjet “Hajdut kriminel”, ashtu si fëmijët e jetimores në film që përplasnin gotat kundër drejtorit të tyre.

“Ulu poshtë ulu, ulu poshtë mos bëj si halabak,” i drejtohet kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi kryetarit të PD, Basha  në këtë moment.

Po ashtu nuk kishte si të mungonte edhe gjesti i deputetit demokrat, Ervin Salianji, i cili i drejtohi gishtin e mesit videos së regjistruar nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Pjesë tjetër nga parlamenti është momenti kur ish-kryeministri Berisha thotë se Rama u largua nga seanca, sapo erdhi Monika Kryemadhi, me nënkuptimin që frikësohet prej saj. “Iku sa erdhi kjo, iku ja mbathi. Iku sa erdhi Monika” thotë Berisha.

“Fjalën e mer kur ta jap unë, mos fol me mua me këtë gjuhë se nuk të shkon. Ja tërhoqa pra, ja tërhoqa, kaq. Zysh kujdestare për ju unë asnjëherë” shprehet Mimi Kodheli gjatë debateve në Komisionin e Jashtëm

Batuta ka pasur edhe në Komisionin e Edukimit, ku kryetarja e këtij komisioni Albana Vokshi i drejtohet ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, se “ashtu siç bëheni ju çift me kryeministrin, bëjmë ne duet këtu”.

Pas seancës të së enjtes, edhe kreu i grupit socialist Taulant Balla merret me deputetët e rinj të LSI-së duke thënë: “Pjesa më e madhe e kalamajve ikën, kanë ngelur edhe disa kalamaj pa edukatë”.

Në fund nuk mungon edhe një selfie nga deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim pas përfundimit të parlamentit./BW/

Të ngjashme