Google ADS

Grupi i Punës për Sigurinë Industriale, Balluku: Kemi përafruar angazhimin e industrisë së mbrojtjes të NATO-s

18:59 | 16 Shtator 2024
E.G

Nisi punimet Grupi Ndërkombëtar i Punës për Sigurinë Industriale, organizuar për herë të parë në Shqipërisë dhe që mblodhi përfaqësues nga 38 shtete të ndryshe dhe 5 struktura të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë NATO dhe BE. Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku në fjalën e saj bëri të ditur se është thelbësore të ndërtojmë qëndrueshmëri kibernetike kombëtare dhe të krijojmë bashkëpunim të fortë me aleatët dhe me partnerët tanë.

“Nëse ka një fushë më specifike në të cilën asnjë nga ne nuk bën dot i vetëm, padyshim kjo është siguria. Gjatë dekadës së fundit, fusha e sigurisë është transformuar në mënyrë dramatike dhe bashkë me këtë ndryshim janë shtuar edhe kërkesat për zgjerimin e industrive tona të mbrojtjes”, tha Balluku.

Sipas saj, aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, po përdorin gjithnjë e më shumë operacione hibride dhe influencë dashakeqe për të projektuar fuqinë dhe për të minuar rendin global. Shqipëria, solli në vëmendje Balluku, ka mësuar shumë nga sulmi i paprecedent kibernetik i kryer nga aktorë të sponsorizuar nga shteti, i cili synoi infrastrukturën e saj kritike të informacionit dhe ndërpreu shërbimet publike. Aleatët e NATO-s, shtoi Balluku, kanë marrë hapa të rëndësishëm për të forcuar qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e industrive tona të mbrojtjes.

“Shqipëria, si një anëtare e NATO-s, e ka kuptuar kërkesën strategjike për krijimin e një industrie të fortë të mbrojtjes për të zbatuar strategjinë e shkurajimit dhe mbrojtjes së NATO-s. Si rezultat, Shqipëria ka përafruar plotësisht Angazhimin e Ri të Industrisë së Mbrojtjes të NATO-s dhe ka kryer një rishikim të plotë të dokumenteve strategjike dhe kuadrit ligjor për të adresuar ringjalljen e industrisë së mbrojtjes”, theksoi Balluku

Ky takim, tha ndër të tjera Balluku, zhvillohet pikërisht në një moment shumë vendimtar për ringjalljen e industrisë tonë të mbrojtjes, kur vetëm në mbyllje të sesionit veror të parlamentit ne kemi arritur që të kalojmë një sërë ligjesh, të cilat tashmë kanë nisur zbatimin e tyre dhe shumë shpejt do të kemi edhe rezultatet e para./rtsh.al/

Të ngjashme