Greqia mbështetje Shqipërisë

09:58 | 22 Shtator 2019
Arbresh.info

Ministria e Jashtme greke ka shprehur me një mesazh të saj në twitter mbështetjen dhe solidaritetin e saj ndaj popullit dhe qeverisë shqiptare që po përballen me situatën e vështirë pas goditjes së tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin.

“Ne i shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë qeverisë së Shqipërisë dhe njerëzve të prekur nga tërmeti “ thuhet ne mesazhin përkatës.

Në të njëjtën kohë, sipas burimeve diplomatike Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile në konsultim me Ministrinë e Jashtme, ka shprehur gatishmërinë e palës greke për të ndihmuar autoritetet shqiptare në përballimin e pasojave të tërmetit.

Dy lëkundjet e para të tërmetit janë ndjerë gjithashtu në zona të Greqisë veriore, dhe kryesisht në Korfuz.

Brigadat e zjarrfikësve në ishullin grek të Jonit kanë kryer kontrolle në pjesën e vjetër të qytetit të Korfuzit si dhe në pjesën veriore te ishullit. Gjithsesi në pjesën greke nuk ka pasur të dhëna për dëme materiale.

Profesori i Gjeologjisë në Universitetin e Athinës, Efthymis Lekkas, duke folur për fenomenin ka theksuar se tërmeti në Shqipëri nuk nuk përben ndonjë rrezik të veçantë në mënyrë që të shkaktojë lëkundje të reja në Greqi, ku lëkundjet e tërmetit janë një fenomen i shpeshtë ,madje shumë herë me pasoja jetë njerëzish.

Gjithashtu ai ka sqaruar se zona në të cilën është regjistruar tërmeti nuk është një zonë qe ndodhet në brezin sizmik ,megjithëse në të kaluarën janë regjistruar tërmete të fuqishme në Shqipëri.

Lëkundjet e tërmetit në Shqipëri kanë zënë vend të veçantë në mediat greke të cilat kanë transmetuar video dhe fotografi të shumta me banorët e tmerruar të Tiranës dhe zonave përreth si dhe me dëmet e shkaktuara.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme