Ministria greke e Infrastrukturës dhe Transportit ka finalizuar projektin për ndërtimin e autostradës që lidh Janinën me pikën e Kakavijës, në kufi me Shqipërinë.
Sipas autoriteteve greke pas përfundimit të të gjithë procedurave teknike këto ditë pritet të nënshkruhet kontrata për fillimin e punimeve.
Afati i përfundimit dhe dorëzimit të projektit është 54 muaj nga nënshkrimi i kontratës dhe dorëzimi i aksit rrugor Janinë-Kakavijë për drejtuesit e mjeteve mund të bëhet në pranverën e vitit 2029.
Dy muaj më parë projekti i ndërtimit të aksit rrugor Janinë-Kakavijë u përfshi nga ministria greke e Infrastrukturës në programin operacional “Transport 2021 – 2027”, me një buxhet prej rreth 290 milionë euro.
Aksi i ri rrugor do të jetë afërsisht 70 km i gjatë, duke përshkuar prefekturën e Janinës deri në kufirin me Shqipërinë.
Autostrada përfshin dy nënseksione, atë Janinë – Kalpaq që ka një gjatësi totale prej 46.4 kilometër dhe Kalpaq – Kakavijë, që ka një gjatësi totale prej 23.11 kilometër.
Ministria greke e Infrastrukturës dhe Transportit thotë se me përfundimin e autostradës përmirësohet ndjeshëm komunikimi me pikën kufitare me Shqipërinë, shkurtohet koha e udhëtimit dhe zbuten problemet e lidhjes së zonave gjeografikisht të izoluara dhe të paarritshme të prefekturës së Janinës.
Autostrada e re ndihmon edhe komunikimin e zonave kufitare shqiptare të cilat janë prekur ndjeshëm vitet e fundit nga emigrimi.
Ministria greke e Infrastrukturës dhe Transportit e shpalli në shkurt të vitit të shkuar tenderin për aksin rrugor “Janinë – Kallpaq – Kakavijë “, me një buxhet prej rreth 310 milionë euro, pas gati 20 vitesh diskutimesh dhe polemikash në Greqi, për rëndësinë e kësaj rruge.
Aksi i ri rrugor Janinë-Kalpaq-Kakavijë do të lidhë Greqinë me Shqipërinë si pjesë e “Korridorit Blu”, një rrjet rrugor prej rreth 1500 km që financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Në projektin e “Korridorit Blu” janë të përfshira 8 vende Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia.
Sipas vlerësimit të Bashkimit Evropian, ndërsa projektet e ndërtimit të akseve rrugore në Kroaci kanë bërë përparim të konsiderueshme, në Shqipëri, ndërtimi i pjesës rrugore të këtij korridori ishte planifikuar që të përfundonte në pranverën e vitit 2020, por pandemia e ngadalësoi zbatimin e projekteve.
Seksioni shqiptar i “Korridorit Blu” ka një gjatësi totale prej 315 kilometrash./voa/
Vullkani në Islandë shpërthen për herë të shtatë brenda një ...
Ilir Meta letër nga burgu për mbështetësit: Nisni protestat ...
Arabia Saudite po përgatitet për Kampionatin Botëror, zbuloh...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj
Banorët kërkojnë puthjen mes Leos dhe Lelës
Senati bllokon projektligjet për të ndalur shitjen e armëve ...