Google ADS

Greqi, zbardhet vrasja e çiftit shqiptar në shkurt

11:54 | 12 Tetor 2017
Arbresh.info

Policia greke ka zbardhur ekzekutimin çiftit të shqiptarëve, Thanas dhe Eleni Curi në lagjen Peristeri të Athinës, natën e 3 shkurtit 2017.

Tre grabitës hynë në shtëpinë e familjes Curi dhe pasi lidhën djalin e çiftit qëlluan me armë zjarri ndaj bashkëshortëve. Eleni Curi vdiq në vend, ndërsa Thanas Curi, i cili rezultoi të ishte shënjestra e grabitësve, ndërroi jetë dy ditë më vonë në një spital.

Në vendin e ngjarjes, autoritetet greke mblodhën kampione të ADN-së, të cilat me atë të tre grabitësve të një banke në Athinë, të cilët u arrestuan dy ditë më parë.

Nga hetimet ka rezultuar se të arrestuarit janë shtetas grekë me origjinë nga Kazakistani. Njëri prej tyre, gjatë kohës që kryente dënimin në burg për një tjetër grabitje të armatosur, kishte mësuar gjuhën shqipe.

Kjo shpjegon faktin se vajza e viktimave u kishte deklaruar hetuesve se agresorët kishin folur shqip me prindërit e saj kur kishin kërkuar paratë e familjes, shkruan Top Channel.

Çështja ishte komplikuar pasi pas kontrollit të banesës së familjes Curi, agjentët kishin zbuluar 9 mijë euro, të cilat agresorët nuk i kishin marrë.

Hetuesit, duke përdorur metoda speciale, arritën të zbulojnë nga deklarata e një prej grabitësve se vrasja e çiftit ishte porosituar nga një tjetër shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim.

Nga hetimet është arritur në përfundimin se vrasja ishte porositur për shkak të një borxhi që viktima, Thanas Curi, nuk u kishte kthyer agresorëve pas një afere droge.

Tre të arrestuarit janë dërguar tashmë për gjykim në Gjykatën e Athinës, me akuzat për “vrasje të dyfishtë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “grabitje të armatosur”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme