Autoritetet greke shtynë për në muajin prill fillimin e zbatimit të Kodit të ri të Emigracionit, ndryshe nga sa ishte parashikuar të vepronte prej 1 janarit të këtij viti.
Kodi ishte miratuar vitin e shkuar nga Parlamenti grek dhe sjell lehtësim të procedurave ligjore si në marrjen e lejeve të qëndrimit edhe në sektroin e punësimit sezonal të migrantëve duke njësuar bazën ligjore për emigracionin me vendet e Bashkimit Europian.
Ndërkohë, për një tjetër ligj për emigracionin e parregullt, që u miratua mesin e dhjetorit të vitit të shkuar nga Parlamenti grek, ende nuk kanë dalë nga Ministria e Brendshme greke dhe Ministria e Emigracionit qarkoret përkatëse për fillimin e zbatimit.
Ligji mundëson në Greqi legalizimin e migrantëve të parregullt që jetojnë prej tre vitesh në këtë vend në mënyrë të pandërprerë dhe që kanë një ofertë nga një punëdhënës.
Kjo kategori migrantësh pajiset me lejeqëndrime trevjecare duke u siguruar akses dhe në shërbimet sociale.
Tek kjo kategori emigrantësh shqiptarë pa dokumente të rregullta qëndrimi përfshihen ata që kanë hyrë ilegalisht në Greqi por edhe një kategori tjetër që kanë hyrë si vizitorë ose për të punuar në mënyrë sezonale dhe nuk kanë mundur të ripërtërijnë lejen e qëndrimit për arsye të ndryshme.
Platformat elektronike të aplikimeve për këtë kategori, që prek sipas statistikave greke mbi 30 mijë shqiptarë, ende nuk janë hapur megjithëse ligji duhet të niste zbatimin më 1 Janar të këtij viti.
Shoqatat e emigrantëve shqiptarë në Greqi i lidhin vonesat e zbatimit te ligjeve te emigracionit me kapacitetin e ulët të burimeve njerëzore në qendrat greke të trajtimit të kërkesave të emigrantëve të cilat vijojnë t`u përgjigjen me mjaft vonesë edhe aplikimeve aktuale për leje qëndrimi.
Sipas të dhënave më të fundit të ministrisë greke të Emigracionit shtetasit shqiptarë përbënin në dhjetor të vitit 2023 rreth 59,6% të të huajve me qëndrim të rregullt në një numër të përgjithshëm prej rreth 278 mijë personash.
Ky numër i emigrantëve shqiptarë është dukshëm më i ulët se dy vite më parë kur në Greqi numëroheshin 435 mijë shqiptarë, që përbënin rreth 62,8% të të huajve me qëndrim të rregullt në Greqi./voa
IKD organizon konferencë për ligjin e pagave në sektorin pub...
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri
Media spanjolle “La Vanguardia”: Zbuloni Beratin, qytetin pë...
Komisionet parlamentare vazhdojnë shqyrtimin e ligjit për bu...
Parashikimi i motit për sot
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...