Në fillim të viteve 1960, popullsia e Shqipërisë ishte rreth 1.2 milionë banorë.
Në fillim të viteve ’90, numri i banorëve të vendit pothuajse u trefishua, duke arritur në 3.3 milionë banorë.
Pas viteve ’90 zhvillimet e vrullshme që ndodhën në vend sollën dhe ndryshime të mëdha demografike. Popullsia filloi të binte me shpejtësi, e ndikuar fillimisht nga niveli i lartë i emigracionit që kulmoi në dekadën e parë të tranzicionit dhe më pas nga stili i ri i jetesës, me lindshmëri më të ulët e familje më të vogla.
Në fund të vitit 2021, popullsia e Shqipërisë vlerësohet të jetë në 2.8 milionë banorë, megjithëse ky është vetëm një vlerësim, pasi Censi i fundit është kryer në vitin 2010, ndërsa pritet që të zhvillohet i riu këtë vit.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) parashikon që numri i banorëve që jetojnë në Shqipëri do të vijojë të tkurret me ritme të shpejta në vitet në vijim.
Sipas parashikimeve të OKB-së, deri në vitin 2050 popullsia e Shqipërisë pritet të zbresë në 2.5 milionë banorë dhe deri në vitin 2100 do të tkurret në 1.1 milionë banorë, duke arritur në këtë mënyrë në nivelet e viteve 1960 (shiko grafikun).
Të dhënat e tjera të përpunuara ngaVisual Capitalist tregojnë se popullsia e Shqipërisë pritet të tkurret me 15.8% deri në vitin 2050, sipas raportit, duke u renditur e dhjeta, pas Bullgarisë, Lituanisë, Letonisë, Ukrainës, Serbisë, Bosnjë Hercegovinës, Kroacisë, Moldavisë dhe Japonisë.
Arsyet
Rënia e normës së lindjeve dhe emigracioni i vazhdueshëm janë dy arsyet që po ndikojnë në reduktimin e popullsisë. Sipas OKB-së, rreth 40% e popullsisë së Shqipërisë jeton tashmë jashtë vendit. Ndërkohë cikli i emigracionit është rigjallëruara vitet e fundit, duke përfshirë familjet, të arsimuarit dhe sidomos të rinjtë. Edhe Covid-19 ka rritur vdekshmërinë në 2020-2021.
Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2022 rezulton 2.793.592 banorë, duke pësuar një rënie me 1,3 %, krahasuar me 1 janar 2021. Ky është viti i pestë radhazi me tkurrje të numrit të banorëve.
Gjatë vitit 2021 shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) ishte -3.296 banorë, duke shënuar për herë të parë shtesë natyrore negative.
Gjatë vitit 2021 u konstatua dhe një rritje e ndjeshme e emigracionit, ndërsa numri i të kthyerve mbetet i ulët. INSTAT raportoi se numri i imigrantëve në vitin 2021 ishte 9.195 persona dhe numri i emigrantëve ishte 42.048 persona. Numri i të larguarve, sipas grafikëve të INSTAT, ishyte më i larti që nga viti 2019 dhe nga 2014-a.
Edhe normat e lindshmërisë (që shpreh numrin e fëmijëve që mund të bëjë një grua gjatë jetës së saj) po bien me ritme të shpejta vit pas viti, duke sinjalizuar rënie pa kthim të popullsisë. Norma e lindshmëria ka zbritur në rreth 1.3 lindje për një grua (poshtë normës së zëvendësimit), duke rënë ndjeshëm nga 6 në vitet 1960 dhe mbi 2 në fillim të viteve 90, sipas INSTAT.
Rënia e lindshmërisë poshtë normës së zëvendësimit të popullsisë sinjalizon rënien e popullsisë gjatë dekadave dhe plakjen e shpejtë. Kontinenti për ketë arsye po vuan plotësimin e nevojave të tregut të punës. Kërkesa për punë e nxitur nga faktori demografik do të krijojë kushtet për një rrjedhë të sigurt emigracioni edhe nga vendet në zhvillim të tilla si Shqipëria.
E prekur edhe nga normat e larta të emigracionit, popullsia e Shqipërisë ka hyrë në një proces plakje të shpejtë duke u shndërruar në një problem madhor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit./Monitor.al
“M’ka pshtu nga goja”, Edi bëhet pishman për ofendimet ndaj ...
Sara: U bëra akull, sepse nuk e prisja nga Driloni
Lushtaku inicion Memorialin historik për daljen e parë publi...
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...