Google ADS

Goditet grupi italo-shqiptar i trafikut të drogës, 20 të arrestuar

13:53 | 12 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Autoritetet italiane i kanë dhënë një goditje të fortë trafikut të armëve dhe drogës të drejtuar nga një organizatë italo-shqiptare.

 

La Repubblica shkruan se në orët e para të ditës, forcat e rendit në shtetin fqinj kanë vënë në pranga 20 persona, 10 nga të cilët do të mbeten në burg e të tjetër në arrest shtëpie. Ndalimet u kryen në zonën e Barit. Gjatë aksionit policor u sekuestruan mbi një milionë euro dhe gati 6 ton marijuanë.

Arrestimet pasojnë një hetim të gjatë e kompleks të kryer nga dhjetori i vitit 2015 deri në shkurt të 2017-tës kundër një organizate kriminale të përbërë nga italianë – përfshirë personazhe të lidhur me klanin Strisciuglio të Barit – dhe shqiptarë që konsiderohen përgjegjës për krime të shumta duke filluar nga grupime që synojnë trafikimin e drogës e deri tek prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, mbajtjen dhe transportimin e armëve të paligjshme, si dhe vjedhja.

Ta ndaluarit janë të gjithë rezidentë në zonën e Barit, ndërsa autoritetet vijojnë kontrolle të imtësishme për të ekzekutuar bllokimin e aseteve të organizatës që konsiderohet si mjaft e rrezikshme. Shtypi Italian thotë se brenda 24 muajve janë sekuestruar tonelata të tëra marijuanë, si dhe një numër i madh pistoletash dhe automatikësh./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme