Në Shqipëri, gati gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve rezultojnë të jenë me probleme sa i përket pasurisë së deklaruar prej tyre.
Këtë e pohoi sot drejtuesi i Inspektoriatit të Lartë të verifikimit të pasurisë se zyrtarëve të lartë, Shkëlqim Ganaj, në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Sipas tij, problemet më të mëdha janë vënë re me gjyqtarët e Apelit. Po sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Tiranës Adriatik Cama, ndërsa në rrezik duket dhe pozita e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Gani Dizdari.
Gati gjysma e njerëzve të sistemit të Drejtësisë rrezikon të mbetet jashtë nga procesi i rivlerësimit, vetëm për shkak të njerit prej tre kritereve, atij që lidhet me pasuritë e deklaruara. “Rezulton që 50 përqind e tyre të kenë probleme qoftë me fshehje të pasurive, qoftë me deklarime të rreme qoftë me konflikt interesi”, deklaroi sot në Komisionin e Ligjeve, kreu i Inspektoriatit të Lartë të verifikimit të pasurisë se zyrtarëve, Shkëlqim Ganaj
Ai tha se bëhet fjalë për një situatë shumë shqetësuese, e cila është veçanërisht e rëndë me gjykatësit e Apelit: “Pjesa e gjyqtarëve të Apelit është pjesa që ka përqindjen më të lartë të problematikës. Kështu që duke parë se Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit, Gjykata e Lartë ka mangësi të mëdha, mendoj se vitin tjetër ne, me këtë trend, do të jemi dhe pa Gjykata Apeli”.
Nga Gjykata Kushtetuese vetëm 2 anëtarë të saj kanë kaluar testin, ndërkohë që të rrezikuara duken dhe pozitat e anëtarit Gani Dizdari, seanca dëgjimore për të cilin u zhvillua sot, por vetëm me praninë e avokatit të tij. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me probleme ka rezultuar pasuria e të bijës, ndërkohë që ai vetë dyshohet për lidhje të papërshtatshme me element të krimit, për shkak të një nipi të tij të dënuar, me automjetin e të cilit Dizdari ka lëvizur në mënyrë të shpeshtë.
Një tjetër trupë gjykuesese shkarkoi sot prokurorin e Tiranës Adriatik Cama, po ashtu për pamundësi të justifikimit të pasurisë dhe lidhjeve të dyshimta. Ndërkohë u konfirmua në detyrë Prokurori pranë prokurorisë së Përgjithshme Kosta Beluri, për të cilin megjithatë u kërkua që të verifikohej vendimi për pushimin e hetimeve për korrupsion ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Adrian Thanza. Ndërsa për kolegun e këtij të fundit, Edmond Islamaj, është Komisioneri publik që ka kërkuar rishqyrtim të vendimit që e nxorri më parë atë të pastër./VOA
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...