Google ADS

Gjykata Kushtetuese shfuqizon nenin që nuk lejonte protestat pa marrë lejen e policisë

15:10 | 5 Maj 2021
Arditë Shkodra

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar e një pjesë të nenit që ndalonte organizimin e protestave pa marrë lejen e organeve përkatëse, si Policia e Shtetit apo dhe pushteti lokal.

Në një njoftim të sajin, Gjykata Kushtetuese bën të ditur se ka hequr pjesën e përcaktuar në nenin 262 të Kodit Penal ku përcaktohet se ndalohen ” grumbullimet pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta”.

Tani me këtë ndryshime mjafton që policia vetëm të vihet në dijeni se po zhvillohet një protestë apo tubim. Ky shfuqizim i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas ankesës së bërë nga ana e Gjykatës së Apelit në Shkodër.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 04.05.2021 mori në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh, çështjen me kërkues Gjykatën e Apelit Shkodër, me objekt: “Shfuqizimi i togfjalëshit “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si i papajtueshëm me nenet 17, pika 1 dhe 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të shqyrtimit Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesës.
2. Shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal.
3. Detyrimin e Kuvendit të plotësojë normën ligjore nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.
4. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Neni i Kodit Penal

Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Po kjo vepër, e kryer më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme