Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ka miratuar këtë të hënë marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë në lidhje me emigrantët.
30 deputetë të opozitës shqiptare i kërkuan gjykatës ta rrëzojë marrëveshjen, duke pretenduar se është antikushtetuese dhe shkel sovranitetin e vendit.
Në arsyetimin e vet, trupa gjykuese theksoi se akordi nuk e ndryshon integritetin territorial të Shqipërisë në aspektin fizik dhe pala italiane gjatë ushtrimit të procedurave për skanimin e emigrantëve që kërkojnë azil mund të asistohet nga Shqipëria sipas ligjeve kombëtare, që do të thotë se marrëveshja nuk e cenon sovranitetin e vendit as në aspektin juridiksional.
“Së pari, [Gjykata Kushtetuese] vlerësoi se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.
Së dyti, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në dy zonat, që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane. Ajo konstatoi se e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit është po ashtu e zbatueshme edhe nga autoritetet italiane për shkak të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe prej Republikës së Italisë. Nën këtë analizë, Gjykata nuk vuri në dyshim ekzistencën e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për Migracionin, e cila buron jo vetëm nga normat kushtetuese, por edhe nga e drejta ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë e shteteve në kuadër të zbatimit ekstraterritorial të saj. Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar,” nënvizohet në vendimin e Gjykatës.
Për sa i përket fuqisë juridike të qeverisë shqiptare për të negociuar e nënshkruar Protokollin “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, Gjykata argumentoi se as në këtë pikë nuk ka shkelje, siç është pretenduar nga opozita, por edhe aktivistë të shoqërisë civile.
“Në këtë drejtim, Gjykata vlerësoi se Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, të vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit,” thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Më 6 nëntor 2023, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja italiane Xhorxha Meloni (Giorgia) nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.
Sipas marrëveshjes, porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Numri maksimal i refugjatëve që do të qëndrojnë në të njëjtën kohë në kamp nuk do të jetë më shumë se 3 mijë.
Afati i marrëveshjes është 5-vjeçar me të drejtë rinovimi edhe për 5 vite të tjera. Sipas kësaj marrëveshjeje, të gjitha strukturat pritëse në Shëngjin dhe ato akomoduese në Gjadër, do të ndërtohen me fondet e palës italiane. Kjo përfshin edhe të gjitha shpenzimet shëndetësore edhe çdo harxhim tjetër të paparashikuar që mund t’i vijë autoriteteve shqiptare./rtsh
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë...
Llapi ndahet me stafin e trajnerëve
Kurti: Pasaporta e Kosovës në top 10 pasaportat e botës që k...