Gjykata i jep një “po” Izet Haxhisë, rihapet dosja “Hajdari”!

16:34 | 21 Qershor 2018
Arbresh.info

Izet Haxhia ka kërkuar këtë të enjte që dosja e tij të rihapet dhe Gjykata e Tiranës i ka dhënë një “po” ish bodyguard-it të Sali Berishës.

Kësisoj dosja që e dënoi me 25 vite burgim në mungesë Izet Haxhinë do të rihapet, ndërsa avokati i tij është shprehur se tanimë mbrojtja do të ankimojë vendimin për dënimin me burg.

Avokati gjithashtu ka deklaruar se do të kërkojnë disa politikanë që këta të fundit të vijnë në gjyq për të thënë të vërtetën e tyre mbi historinë dhe dosjen e Izet Haxhisë.

“Hapet sipari që të ndëshkohen kriminelët e vërtetë. Është hapur rruga për të regjistruar e proceduar nga ana jonë përmes ankimimit dhe ne do të tregojnë me prova se përse dënimi i Izet Haxhisë është i gabuar.”-tha avokati i Izet Haxhisë.

Këtë të enjte, vetë Izet Haxhia tha se ish kryeministri Sali Berisha ka paguar një milion euro për eliminimin e tij fizik. Nëse dosja që e ka dënuar atë për 25 vite burgim me akuzën e vrasjes së Azem Hajdarit do të rihapej, tha Haxhia, atëherë ai do të provonte me prova se është dhënë urdhër për likuidimin e tij fizik.

Mbetet tashmë për t’u parë se kush do të jetë mënyra që gjykata do të zgjedhë për hapjen e dosjes se Izet Haxhisë, i cili është njëri ndër të akuzuarit për vrasjen e Azem Hajdarit./Express

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme