Gjashtë të plagosurit nga shpërthimi në Lushnjë, jashtë rrezikut për jetën

16:34 | 2 Mars 2024
E.K

Gjendja e 6 të plagosurve nga shpërthimi i ndodhur të Premten në Lushnjë është e stabilizuar.

Siç raporton Klan News njëri prej tyre Ervis Sharka ka dalë nga spitali rajonal i Lushnjes ditën e sotme dhe do të mjekohet në banesë.

Tashmë pritet që në vendngjarje të hiqet bombula e mbetur e oksigjenit e varur në vinç, pasi paraqet rrezikshmëri të lartë dhe Njësia Antieksploziv ka kërkuar ekspertë shtesë.

Këto janë informacionet e siguruara deri në këtë moment, ndërsa pritet që ngjarja të zbardhet e plotë.

Kujtojmë se pasditen e djeshme, prej shpërthimit humbën jetën babë e bir të cilët po punonin në këtë kantier, Roland dhe Elidon Hoxha. Ndërkohë i shtruar te “Trauma” është deputeti Bujar Çela dhe një 42 vjeçar, të cilët i janë nënshtruar mbrëmë ndërhyrjeve kirurgjikale.

Paraprakisht dyshohet se ka qenë kontakti i vinçit me linjën e tensionit të lartë që ka shkaktuar shpërthimin e fuqishëm, duke qenë se po punohej për lëvizjen e 6 bombulave të oksigjenit. Shpërthimi i fuqishëm pati pasoja disa kilometra larg zonës ndërsa zhurma u ndje thuajse në gjithë qytetin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme