Google ADS

Gent Cakaj takon Papa Françeskun

08:56 | 19 Shtator 2019
Arbresh.info

Kjo vizitë e ministrit Gent Cakaj përkon me disa përvjetorë shumë domethënës për marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

Në një shkrim në Facebook, ai bëri me dije se ky shtator shënon 28 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, pesë vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, si dhe tre vjetorin e Shenjtërimit të Nënës Terezë.

“Këto ngjarje nuk kanë thjesht një vlerë simbolike: ato paraqesin një moment të rëndësishëm për të kujtuar trashëgiminë e veçantë dhe shembullin e pakrahasueshëm botërisht të shqiptarëve për bashkëjetesën fetare, harmoninë religjioze dhe dialogun e hapur e gjithëpërfshirës në përgjithësi”, u shpreh Cakaj.

Gjithashtu, sikurse ka nënvizuar Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë, Cakaj ritheksoi se shqiptarët janë pjesë e patjetërsueshme e familjes kulturore e historike evropiane dhe Shqipëria nuk do të kursejë asnjëherë asnjë përpjekje që përkatësinë e saj historike e kulturore evropiane ta përkthejë në rrugëtimin e saj politik e institucional për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sa i përket angazhimit të vazhdueshëm të Shqipërisë në lobimin për njohjen e Kosovës, Cakaj theksoi se, “Shqipëria angazhohet aktivisht për të siguruar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë!”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme