Në Shqipëri, Partia Demokratike mbyll sot fushatën për zgjedhjen e kryetarit të saj të ardhshëm. Përballë zotit Basha, i vënë në qendër të kritikave pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit, në garë u përfshinë tre kandidatë të tjerë, të cilët kanë kërkuar largimin e tij si përgjegjës për mbetjen e Partisë Demokratike në opozitë edhe për një tjetër katërvjeçar.
Nën efektet e rezultatit negativ të 25 Prillit, Partia Demokratike hapi garën për zgjedhjen e kryetarit të saj të ardhshëm. I gjendur përballë një kori zërash që i kërkuan atij menjëherë dorëheqjen, drejtuesi i saj për 8 vite, Lulzim Basha, përshpejtoi papritur procesin, duke afruar datën e zgjedhjeve. Mandati i tij, nga i cili zgjodhi të mos hiqte dorë, përfundonte me 22 korrik.
Zoti Basha nisi një tur në bazën demokrate që para se të shpallej gara, duke mos reaguar ndaj kritikave të forta që i vinin nga brenda parties, ndërsa fushatën zgjodhi ta bënte duke qëndruar larg deklarimeve publike apo daljeve mediatike. Ai nuk ju përgjigje as një kërkesë të të Zërit të Amerikës për një intervistë me të, në ndryshim nga kandidatët e tjerë, Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi e Agron Shehaj, të cilët paralelisht me turin në degët e partisë ishin shumë aktivë me prononcimet në media.
Tre kandidatët që sfidojnë zotin Basha, kanë profile të ndryshme. Por në këtë fushatë, paravarësisht qasjeve që dallonin ndjeshëm, ata i bashkonte të gjithë nevoja, sipas tyre, për një ndryshim të fortë në Partinë Demokratike, dhe largimin e zotit Basha, i konsideruar përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve të 25 Prillit.
Këtij pozicioni, zoti Basha ju përgjigj me një tezë të cilën ai e bëri refren të fushatës së tij: “Për një gjë nuk mund të kemi 2 mendime, e nuk mund të ulemi në 2 karrige, ose 25 prilli ishte masakër zgjedhore ose ishte fitore e e Edi Ramës. Në qoftë se pranojmë të dytën, atëherë de facto kemi shkelur mbi sakrificën e demokratëve”.
Të gjithë kandidatët bien dakort se sipas tyre ka patur tjetërsim të vullnetit të votuesve, duke i mëshuar megjithatë faktit se përpos gjithë kësaj, realiteti i pashmangshëm është se demokratët mbetën sërish në opozitë.
Zoti Basha i ka rrëshqitur përballjes me këtë realitet, duke deklaruar në mënyrë të përsëritur, siç bëri edhe në takimin e sotëm në Paskuqan se “as nuk e njoh, as nuk e pranoj tjetërsimin e vullneti të shqiptarëve me 25 prill dhe rezultatin e manipuluar të 25 prillit. As e njoh dhe as nuk e pranoj si të ligjshëm asnjë instuticion të dalë nga kjo masakër. Për mua ka vetëm një rrugë: rruga e betejës totale ndaj atij që i ka shpallur luftë totale Partisë Demokratike, demokratëve shqiptarëve, Shqipërisë dhe demokracisë. Nuk ka rrugë tjetër!”
Deri më tani nuk ka ndonjë vendim të strukturave drejtuese të Partisë Demokratike për të mos marrë pjesë në parlament. Madje, mjaft deputetë të zgjedhur, mbështetës të zotit Basha, kanë deklaruar se do të jenë të pranishëm.
Mbetet e paqartë se çfarë beteje do të zhvillojë zoti Basha që do të çonte në rrëzimin e shumicës socialiste të rikonfirmuar për një mandat të tretë. Në 8 vite opozitë, Partia Demokratike ka tentuar forma nga më të ndryshmet, që nga protestat paqësore deri te ato që kanë përfunduar me akte dhune dhe sulme ndaj institucioneve, që nga bojkoti i parlamentit deri dhe te djegia e mandateve, por pa mundur në asnjë rast të çojë në krizë shumicën në pushtet.
Fushata për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, u zhvillua dhe nën sfondin e një vendimi që tronditi këtë forcë politike, kur Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se liderit të saj historik Sali Berisha dhe familjes së tij, i është ndaluar hyrja në territorin e Shteteve të Bashkuara. Zoti Berisha, e konsideroi të pabazuar një vendim të tillë, duke saktësuar se nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga politika aktive. Madje mbrëmë në një intervistë në televizionin Syri.Tv ai bëri të ditur se mund të kthehej të rimerrte drejtimin e Partisë Demokratike./VOA
Hiqet ndalesa për kamionë në rrugën Tetovë-Kodra e Diellit
Arrestohet gjenerali i Assad, përgjegjës për dhënien e mijër...
Lukashenka fal 20 të burgosur
Gërvalla: Liberalizimi i vizave si rezultat i luftës ndaj ko...
“Sonte nuk jom ‘kingu’, jom baba”, Gjesti flirtues ndaj Xhen...
Kurti me thirrje për ambasadorët: Historinë e Kosovës tregoj...