Google ADS

Fushata/ Prodhuesit e bukës: Nuk do të tregtojmë më bukën e prerë tek furrat

08:58 | 5 Gusht 2018
Arbresh.info

Ata që janë mësuar ta marrin bukën të prerë duhet të përgatiten të heqin dorë nga ky shërbim. Kjo vjen si një masë për ruajtjen e shëndetit të konsumatorit, që u bashkohet masave të tjera në këtë drejtim, të tilla si ndalimi i qeseve plastike.

“Ne do të nisim një fushatë ndërgjegjësuese për konsumatorin, në mënyrë që ai të mos kërkojë bukën e prerë, por t’a marë atë në formën e pjekur. Edhe sipas ekspertëve, proceset kimike nuk ndikojnë mirë në bukë, pasi humbasin shumë vlera. Thikat e bukës konsumohen dhe metali i thikave shkon në bukë. Sa më pak ta presim bukën dhe sa më shumë ta ruajmë formën natyrale të saj, aq më mirë do të jetë për konsumatorin”, tha Gëzim Peshkopia, kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë e Brumrave.

Në dukje, kjo ka një prapaskenë për ruajtjen e shëndetit të konsumatorit, që u bashkohet masave të tjera në këtë drejtim, të tilla si ndalimi i tregtimit të bukës në qese plastike, etj.

Por vendimi nga subjektet e sektorit po merret edhe në kuadër të përpjekjeve për të kursyer energjinë. Për subjektet që prodhojnë dhe tregtojnë bukë, por edhe produkte të tjera brumi dhe ëmbëlsirash, do të vendosen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dy matës të ndryshëm, duke filluar nga muaji shtator. Peshkopia thekson se kjo ka qenë një kërkesë e prodhuesve të bukës.

Tarifat

Tarifa e energjisë elektrike për furrat e prodhimit të bukës është 7.6 lekë për kilovatorë, që dallon nga kategoria tjetër, për ambientin ku mbahen frigoriferët e ku ruhen produktet e ëmbëlsirave apo brumrave, që kalon në 14 lekë për kilovatorë.

“Nga muaji shtator do të nisë puna për vendosjen e dy matësave të energjisë për furrat e bukës. Njëri matës do të vendoset tek objektet e prodhimit të bukës, që do vijojnë ta paguajnë energjinë me 7.6 lekë për kilovatorë, ndërsa matësi tjetër do të jetë në ambientet e shitjes, ku çmimi i energjisë do të jetë 14 lekë për kilovatorë”, tha ai.

Gëzim Peshkopia shprehet se çmimi do të ishte mirë të ishte i njëjtë, madje pati edhe një propozim që të bëhet 8.6 lekë për kilovatorë, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh.

“Enti Rregullator i Energjisë dhe Ministria e Energjetikës nuk na e mori parasysh”.

Ndryshimi

OSHEE ka monitoruar subjektet në terren dhe ka evidentuar se mjaft subjekte, që pretendonin se kishin furrë buke e prodhim mielli, rezultonin me aktivitet tjetër, në disa raste madje deri dhe parukeri e lloto. Përveç bukës masive, e cila duhet subvencionuar nga shteti dhe me të drejtë ka edhe tarifë të reduktuar, ka një gamë të gjërë prodhimesh nga më të ndryshmet: pastiçeri, byrek, tregtim të produkteve të bulmetit, që ja ndryshojnë komplet natyrën këtij biznesi dhe shfrytëzojnë tarifën e reduktuar për produkte që nuk janë bukë. Kjo u lejonte prodhuesve të përdornin lehtësisht energjinë edhe për prerjen e bukës me sharra elektrike.

Kostot

Pas tërheqjes së vëmendjes nga Operatori i Shpërndarjes, furrat protestuan fillimisht, duke bërë presion me kërcënimin se do të rritnin çmimin në rast se aplikohen tarifa të reja. Në fakt, tarifat për bukën mbeten gjithnjë të njejta, por një matës i dytë, që do të vendosej psh në linjën që përdor sharra elektrike – pra, jo furra e pjekjes – do të rriste kostot e prodhuesve. Në këto kushte, ata duket se do të heqin dorë nga praktika, shumë e përhapur dhe e vlerësuar, e dorëzimit klientëve të bukës së prerë në momentin e blerjes./shqiptarja.com

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme