Google ADS

Furnizimi me ujë mbetet problem për bregdetin shqiptar

09:01 | 8 Nëntor 2018
A. B.

Edhe pse borxhi i lartë publik (71% e PBB) dhe kontratat e mëdha të investimeve në rrugë kufizojnë hapësirat buxhetore për investime në sektorë të tjerë, buxheti i shtetit për vitin 2019 ka kontabilizuar 83 miliardë lekë investime në infrastrukturën e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve.

Kjo shumë prej 653 milionë eurosh përfaqëson zërin më të lartë të investimeve publike pas rrugëve, por investimet janë programuar të shtrihen në një periudhë shumëvjeçare.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, projekti më i kushtueshëm në këtë drejtim është furnizimi me ujë dhe sistemi ujërave të përdorura në zonat bregdetare me një vlerë prej 62,7 miliardë lekësh.

Infrastruktura e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të ujërave të zeza në qytetet bregdetare të vendit nga Velipoja, Durrësi, Lezha, Divjaka, Vlora, Himara, Saranda kërkon së paku 480 milionë euro investime për t’u kthyer në normalitet. Në këtë shumë, 127,8 milionë euro nevojiten për infrastrukturën e ujit të pijshëm dhe 352 milionë euro për rehabilitimin e ujërave të ndotura.

Shpenzimet më të mëdha për ujërat e ndotura nevojiten në qytetin e Durrësit, rreth 134 milionë euro, 69 milionë euro nevojiten për qytetin e Fierit dhe 60 milionë euro në Shkodër etj. Ndërsa për ujin e pijshëm, shpenzimet më të mëdha kërkohen për Vlorën dhe bregun e saj, ku kërkohen rreth 73 milionë euro investime, në Fier kërkohen 12 milionë euro, në Sarandë 17 milionë euro etj.

Pjesa e tjetër e investimeve përfshin projekte të tjera si investime në sektorin e ujësjellëit dhe kanalizimeve në qytetet si Tirana, Vlora, Koliku, Ura Vajgurore e etj.

Ministria e Infrastrukturës llogarit se infrastruktura në hapësirën bregdetare ka nevojë për investime, pothuajse në të gjithë sektorët e saj.

Më problematike nga të gjitha paraqitet situata e infrastrukturës së furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe ajo e trajtimit të mbetjeve, raporton “monitor”.

Përveç zonave rurale, të cilat janë në një masë të konsiderueshme të pambuluara me këto shërbime, ku mbulimet me infrastrukturë janë bërë në mënyrë informale, me probleme të theksuara paraqitën edhe zonat urbane.

Ministria e Infrastrukturës cilëson se prioritet për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore me dalje në det, apo që preken nga burime ujore, duhet të jetë mirëmenaxhimi i integruar i burimeve ujore, ku thelbësore mbeten masat konkrete për rregullimin e çështjes së rrjetit të kanalizimeve e trajtimit të ujërave të ndotur, si dhe menaxhimi i mbetjeve urbane, me qëllim mbrojtjen e burimeve nga ndotja e aktivitetit njerëzor.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme