Fshati me prodhime bio ku bujqësia i kushtohet turizmit

16:11 | 20 Maj 2019
Arbresh.info

Edhe pse tokat i kanë me bonitet të ulët prodhues, nuk lënë oborre dhe sipërfaqe pa mbjellë më perime e prodhime fushe, me qëllim që për tre muaj me radhë të kënaqin plazhistët e Darëzezës me prodhimet e tyre bio. Ky është fshati Darëzezë në Fier, i cili u popullua nga banorët që u larguan nga një fshat me të njejtin emër, nga Darëzeza e Gramshit.

Para 30 viteve u shpërngulen nga Gramshi këtu në fshatin bregdetar të Fierit. Por edhe pas kaq kohësh qëndrojnë në habitatin e tyre të stilit të jetesës: të urtë, punëtorë dhe të dashur.

Kështu ruajtën edhe emrin e fshatit nga erdhën, Darëzezë, pavarësisht se në Fier ky fshat quhej herë Povelçe, herë Hidrovorë. Edhe plazhin më të bukur në Fier e quajtën Darëzezë. Këta njerëz dallojnë nga ata banorët e fshatrave të tjerë të Fierit. Janë të vetmit që bujqësinë e një viti ia kushtojnë turizmit: plazhistëve dhe vizitorëve të bregdetit.

Nisin të punojnë që në Shtator. Mbjellin oborret dhe tokat e tyre të pakta, një pjesë e tyre të kripura. Dëshirojnë që plazhistët të hyjnë në bahçe e t’i këpusin vetë perimet.

“Janë të freskëta”, tha një banore.

Boniteti i ulët i disa prej tokave në Darëzezë, i ka orientuar vendasit ta shfrytëzojnë edhe në një mënyrë tjetër: me peshkim ose duke rritur tufa me dele dhe dhi. Sokoli dhe gruaja e tij, një vit të tërë mbledhin djathin dhe gjalpin dhe ua tregtojnë plazhistëve në verë.

“Unë vij nga Skrapari dhe ka qenë një rreth blegtoral. Ne nuk kemi dijeni shumë për kulturat bujqësore, kështu që i jemi kushtuar blegtorisë”, tha Sokoli.

Kënaqen me çmime simbolike që më shumë u thotë zemra sesa nga vlera e mundit të vërtetë. Darëzeza, nuk është fshat turistik, por bregdeti Adriatikut dhe cilësitë e vendasve e kanë bërë atë një nga fshatrat më joshëse turistike të Fierit. Prodhimet bio, mikpritja dhe dashuria e banorëve janë pasaporta më e mirë./ABC News Albania

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme