Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle, zëdhënësja e FRONTEX, Izabella Cooper, tha se numri i emigrantëve që përdorin kufirin Greqi-Shqipëri për kalim të paligjshëm, është dyfishuar, krahasuar me vitin e kaluar.
Në maj të këtij viti, policia kufitare shqiptare dhe FRONTEX, Agjencia e Rojes Kufitare dhe Bregdetare e Bashkimit Europian nisën patrullimin e përbashkët në kufirin e gjelbër Shqipëri-Greqi. Në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës në Gjirokastër dhe në Kapshticë të Korçës, 50 oficerë policorë nga 11 vende të BE-së asistojnë policinë shqiptare për përballimin e valës së emigrantëve që vijnë nga Greqia dhe përdorin si tranzit Shqipërinë për në vendet e Bashkimit Europian dhe për të luftuar krimin ndërkufitar. Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle, zëdhënësja e FRONTEX, Izabella Cooper, thotë se numri i emigrantëve që përdorin kufirin Greqi-Shqipëri për kalim të paligjshëm, është rritur dyfish krahasuar me një vit më parë.
Izabella Cooper: Ky patrullim i përbashkët ka shumë qëllime të rëndësishme. Një ndër to është menaxhimi i valës migratore por gjithashtu 50 oficerët policorë të FRONTEX asistojnë autoritetet shqiptare në përballjen e një sërë krimesh serioze ndërkufitare siç janë terrorizmi, trafikimi i qenieve njerëzore, trafikimi i drogërave, trafikimi i automjeteve dhe falsifikimi i dokumenteve. Dua të theksoj se roli i FRONTEX nuk është të zëvendësojë por t’i sigurojë mbështetje teknike shtesë autoriteteve shqiptare. Pra, në të gjitha aktivitetet tona policia kufitare shqiptare është gjithmonë e pranishme në terren: me makinat tona të patrullimit dhe në kontrollin kufitar.
Izabella Cooper: Kombësitë kryesore të emigrantëve që vijnë nga Greqia në Shqipëri përfshijnë Irakun, Sirinë, Marokun, Pakistanin, Algjerinë dhe Palestinën. Pjesa më e madhe e këtij grupi hyjnë në Greqi përmes ultësirës së lumit Evros, tokës kufitare mes Turqisë dhe Greqisë. Pjesa tjetër arrin përmes ishujve të Egjeut dhe grupi i tretë janë ata që kanë jetuar në Greqi për disa muaj dhe më pas vendosin për të vijuar më tej për kushte më të mira ekonomike.
Izabella Cooper: Bashkëpunimi me Ballkanin Perëndimor është shumë i rëndësishëm për ne, duke qenë se përbën korridorin kryesor të tranzitit që përdorin emigrantët që vijnë nga Turqia, nëpërmjet Greqisë. Këtë vit, deri tani, janë shënuar dyfish më shumë emigrantë që hyjnë në Shqipëri nga Greqia, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Që nga nisja e këtij operacioni, në muajin maj të këtij viti, janë regjistruar për kalim të paligjshëm të kufirit 3500 emigrantë, një shifër shumë domethënëse.
Izabella Cooper: Ne kemi regjistruar rritje të ndjeshme. Për t’iu dhënë një shembull konkret: në muajin qershor të këtij viti u regjistruan 500 emigrantë të paligjshëm duke hyrë në Shqipëri nëpërmjet Greqisë. Në shtator, ky numër u rrit në 1300, për vetëm një muaj. Pra rritja është e vazhdueshme dhe domethënëse.
Ana i dërgon një dhuratë Kevinit, reagimi i tij do ju befaso...
Lituania do të financojë prodhimin e dronëve ukrainas me rre...
Plagosja me thikë e 32-vjeçarit në Durrës, shkak dyshohet ko...
Parandalohet një rast i kundërvajtjes doganore
Anisa ia kap flokët Xhenetës – përplasje e ashpër mes tyre
Kanada, Kryeministri Trudeau dënon protestat e dhunshme në M...