Dy kontingjente me trupa nga Forcat e Armatosura u nisën sot për në Afganistan, ku për rreth gjashtë muaj do të shërbejnë në dy baza të ndryshme në misionin e NATO-s “Resolute Support”.
Kontingjenti i parë i përbërë nga pjesëtarë të Batalionit të Mbështetjes me Luftim do të dislokohet në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, ndërsa grupi i dytë nga Forcat Speciale do të shërbejë në Bagram.
Për përcjelljen e trupave tanë për në mision ishte i pranishëm zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Albert Mullai, si dhe familjarë të ushtarakëve.
Zëvendësministri Koçi e konsideroi nisjen e trupave në mision si ditë të shënuar për FA dhe vuri në dukje pjesëmarrjen e trupave tanë në të gjithë misionet e NATO-s.
“Sot është një nga ditët e krenarisë të FA sepse dy kontingjente, një togë e Batalionit të Mbështetjes në Luftim dhe një grup nga Batalioni Special nisen për në Afganistan, përkatësisht në Kabul dhe në Bagram. Është një mision i vështirë, por që përputhet plotësisht me misionin kushtetutës të FARSH. Është detyrë e Forcave tona të Armatosura, është detyrë e Republikës së Shqipërisë si anëtare e NATO-s për ti shërbyer angazhimeve tona që ne kemi marrë përsipër përkundrejt kësaj aleance historike. Ne jemi një nga vendet e para në NATO që krahasuar me numrin e ushtarakëve që ka Forca jonë e Armatosur kontribuon në misione ndërkombëtare. Këto ditë Shqipëria jeton ditë të vështira. Ne jemi krenarë me punën që kanë bërë FA që nga orët e para të tërmetit të 26 nëntorit. Ne do të vazhdojmë të jemi kudo ku populli ka nevojë, ku halli i qytetarit është i madh, ku rrezikohet jeta e qytetarit aty do të jetë ushtaraku ynë”, u shpreh Koçi.
Komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Albert Mullai theksoi se ushtarakët e përzgjedhur për t’u dërguar në mision janë me përvojë e të mirëpërgatitur dhe siguroi familjarët e ushtarakëve për mbështetjen e pakursyer që ata do të kenë.
Toga e Batalionit të Mbështetjes me Luftim do të jetë kontingjenti i VII shqiptar në misionin Resolute Support në Kabul, ndërsa grupi i Forcave Speciale në Bagram, do të jetë kontingjenti i IV që trajnon kolegët e tyre afganë. /TCH/
I pandalshëm Edon Zhegrova – ylli kosovar gjen golin në sfid...
Banorët e Bazelit miratojnë fondet publike për Eurovision
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...
S’ka gola në Ferizaj
Hamza: Bashkatdhetarët në Köln u bashkuan me ne për ta bërë ...