Pas 3 vitesh dhe rreth 13 mijë orëve patrullim në detin Egje, Forca Detare ka përfunduar kontributin e saj në misionin e NATO-s, “Sea Guardian” në detin Egje.
Kontingjenti i fundit dhe anija “Oriku” u kthyen në atdhe ku u pritën në Portin e Durrësit nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, zëvendëskomandanti i Forcës Detare, kapiten i Rangut të I Artur Meçollari, ushtarakë të lartë të FA dhe familjarët e detarëve në mision.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vlerësoi kontributin e detare tanë gjatë këtyre 3 viteve, të cilët e kanë bërë Forcën Detare më moderne dhe më profesionale.
”Sot ka filluar ringritja. Madje, është bërë shumë punë e shumë rrugë për ringritjen e flotës. Qoftë në aspektin e logjistikës e mjeteve e pajisjeve, qoftë në terma të ekspertizës e ngritjes së burimeve njerëzore. Dhe unë kam shumë shpresë, që në të ardhmen do të bëhet akoma më shumë, veçanërisht, pas propozimit tonë për ta shndërruar Pasha Limanin në një bazë strategjike të NATO-s. Një zhvillim, që do të kishte po të njëjtin impakt që do të ketë në zhvillimin e forcës së armatosur, dhe rritjen e rëndësisë strategjike të Shqipërisë për Aleancën, si edhe baza e Kuçovës për të cilën do të nisë puna në fillim të vitit tjetër.”- u shpreh zonja Xhaçka, e cila veçoi kontributin e ushtarakëve shqiptarë edhe për përballimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Unë e di dramën personale të shumë prej efektivëve të Forcës së Armatosur që nga tërmeti humbën shtëpitë. E megjithatë, çdonjëri prej tyre ishte në krye të detyrës! Prandaj unë sot dua t’ju siguroj edhe njëherë, çdo efektiv të FA, veçanërisht ata që gjenden në misione jashtë vendit: ne do t’ju gjendemi pranë familjeve të tyre, si një familje e madhe që kujdeset për të vetët!”
Gjatë 3 viteve në këtë mision, ekuipazhet dhe anijet shqiptare kanë realizuar 178 operacione, duke shpëtuar ose parandaluar rreth 3500 persona, mes të cilëve 120 gra, 220 fëmijë, 38 prej të cilave foshnja.
Në misionin “Sea Guardian”, shërbyen 14 kontingjente të përbërë nga 294 detarë, në bordin e 3 anije të Forcës Detare, “Oriku”, “Butrinti” dhe “Lissus”./TCH
Pamje nga veriu, pas shpërthimit në kanalin e ujit në Zubin ...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Vota e emigrantëve, kreu i KQZ: 30 ditë nuk mjaftojnë për po...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, KEK shpreson në sanimin e shpejtë...
Kryetari i Zubin Potokut: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ka d...
Shpërthimet në veri, Haradinaj: Organet e sigurisë të bashkë...