Në Shqipëri, në përfundim të bisedimeve me autoritetet përgjatë 10 ditëve të fundit, misioni i Fondit Monetar ndërkombëtar, vlerësoi pozitivisht ecurinë e ekonomisë shqiptare. Sipas drejtueses së misionit Anke Weber “ecuria është rikthyer e fortë, e mbështetur nga politika të kujdesshme makroekonomike. Prodhimi tani është shumë më i lartë se tendenca e tij para pandemisë falë një sektori turistik në lulëzim. Politikat e kujdesshme fiskale kontribuan në një reduktim të dukshëm të borxhit publik, ndërkohë që politika monetare proaktive, rënia e çmimeve globale të mallrave dhe mbiçmimi i lekut kanë lehtësuar disinflacionin”, deklaroi zonja Weber.
Fondi Monetar parashikon “një rritje reale të PBB-së prej 3.6 për qind në Shqipëri këtë vit, ndër më të lartat në Evropë. Rritja në periudhën afatmesme pritet të mbetet e qëndrueshme, në rreth 3½ për qind, ndërkohë që rreziqet ndaj perspektivës janë gjerësisht të balancuara”.
Misioni vlerësoi rritjen e prodhimit dhe uljen e borxhit publik. Megjithatë, sipas Fondit Monetar “pavarësisht nga tabloja optimiste makroekonomike, ka sfida të konsiderueshme strukturore”, duke vënë në dukje faktin se Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri, është vetëm sa rreth një e katërta e niveleve të BE, ndërkohë që vendi është prekur nga plakja e shpejtë dhe migrimi. Po ashtu, vlerësohet se “pavarësisht përparimit të konsiderueshëm, mangësitë në qeverisje përbëjnë pengesa për mjedisin e biznesit”.
Sa i takon sistemit financiar, misioni i FMN-së vëren se “rreziqet sistematike duken gjerësisht të përmbajtura, ka disa xhepa cenueshmërie, duke përfshirë rritjen e shpejtë të kreditimit për sektorin e pasurive të paluajtshme”.
Sipas misionit të FMN-së “tani është koha e duhur për të avancuar më tej në reformat e fokusuara në rritjen e produktivitetit duke nxitur integrimin në zinxhirët globalë të vlerës, duke hequr barrierat ndaj rritjes së fortë, si stimujt e taksave shtrembëruese, duke rritur aksesin në financa dhe duke përmirësuar arsimin dhe trajnimin”. Fondi Monetar vlerëson se “vazhdimësia e investimeve në infrastrukture, krahas reformave të qeverisjes janë prioritetet kryesore” ndërsa vë në dukje se “zbatimi me sukses i kësaj axhende të thellë reformash do të siguronte që Shqipëria të jetë gati për të konkurruar në tregun e përbashkët, kur të anëtarësohet përfundimisht në BE”./VOA
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag