Google ADS

Fleckenstein: Nuk ka kushte shtesë për Shqipërinë

14:49 | 23 Shtator 2017
Arbresh.info

“Jo kushte shtesë! Ky ishte mesazhi që përcolla gjatë vizitës time si raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian”, thuhet në postimin e fundit të Knut Fleckenstein në “Facebook”, bërë vetëm pak ditë pas ndalesës që zyrtari i lartë europian pati në vendin tonë.

“Situata e Shqipërisë pas zgjedhjeve ishte pjesë e bisedimeve që zhvillova me presidentin, kreun e Parlamentit, kryetarët e grupeve parlamentare, ministrin e Brendshëm e të Drejtësisë si dhe ambasadorë të vendeve anëtarë të BE-së”, sqaron ai.

“Nëse do të vazhdojë implementimi i reformave, atëherë negociatat e anëtarësimit duhet të hapen në gjysmën e parë të 2018-n”, shton raportuesi duke i mëshuar edhe një herë mesazhit të përciellë në Tiranë. “Populli i Shqipërisë shpreson shumë që kjo të realizohet dhe e meriton një gjë të tillë. Me nisjen e negociatave fillon dhe një proces disa vjeçar afrimi”, thuhet më tej në postim.

“Zgjatja e tyre varet nga zbatimi një reformave, por njerëzit do ta shohin se ne e duam progresin në BE. Është rrugë e vështirë, megjithatë do të japim ndihmën tonë”, përfundon mesazhi i Fleckenstein.

Gjatë vizitës së përpara pak ditëve, Fleckenstein theksoi se “nëse Shqipëria ndjek rrugën e reformave, vendimi do të mund të merret marsin e ardhshëm, që procesi të nisë më pas në qershor”.

Ai shtoi se vendi duhet të punojë shumë, siç dhe ka bërë, duke vënë fokusin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe veçanërisht në zbatimin e Reformës në Drejtësi, me të cilën vetë Komisioni Europian ka kushtëzuar hapjen e bisedimeve, që prej vjeshtës së vitit të kaluar.

Fleckenstein shpjegoi edhe në atë rast se për vendin nuk ka kushte shtesë, ndërsa shtoi se Parlamenti Europian do të inkurajojë si Komisionin ashtu dhe Këshillin Europian për një vendim pozitiv për Shqipërinë.
Fleckenstein: S’ka kushte shtesë për Shqipërinë

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme