Fleckenstein: I kërkoj KE-së që të nisë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë

17:10 | 28 Qershor 2017
L G

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flekenshtajn thotë se Shqipëria e kaloi testin e zgjedhjeve pavarësisht parregullsive në procesin zgjedhor.

Në një intervistë ekskluzive për ABC NEWS, ai thotë se i ka bërë thirrje Komisionit Europian të hapë negociatat për antarësimin e Shqipërisë.

Pyetje: Institutionet e Bashkimit Europian kanë konsideruar zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri si një test për pjekurinë demokratike të vendit. A u kalua me sukses ky test?

Pavarësisht parregullsive që ka patur në proçes, të prezentuara edhe në raportin e OSBE-së, unë do thoja që në terma të përgjithshme, Shqipëria e kaloi testin e zgjedhjeve, duke qenë se proçesi ishte i qetë dhe u pranua nga të gjitha palët. Pra, testi u kalua, por ka vend për përmirësim të mëtejshëm.

Pyetje: Ju keni qenë i ashpër në dënimin e fenomenit të shitblerjes së votës gjatë zgjedhjeve lokale. A jeni i shqetësuar nga shitblerja e votës sërish shumë prezente në zgjedhjet e 25 qershorit ?

Unë e kam dëgjuar këtë dhe di që tashmë ka ligj më të fortë në Shqipëri që dënon shitblerjen e votës. Nuk kam prova të shitberjes së votës, por nëse ka prova për këtë, ato duhen të paraqiten para Gjykatës. Për mua shtitblerja e votës është një çështje nderi. Ata që blejnë votën dhe që e shesin atë, nuk kanë nder dhe shkatërrojnë vendin e tyre. Dhe nëse kjo vazhdon, atëherë mirupafshim. Kjo është një çështje e shoqërisë dhe shoqëria civile duhet veçanërisht të punojë kundra këtyre fenomeneve derisa ato të zvogëlohen dhe të dënohen nga të gjithë.

Pyetje: Tani që Brukseli konsideron se testi i zgjedhjeve u kalua, a mendoni se janë përmbushur kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Komisioneri Hahn është shprehur së fundmi, se përveç zgjedhjeve dhe zbatimit të ligjit të Vetting, do shihen edhe rezultatet konkrete të luftës kundër trafikut të drogës. A ndani të njëjtin mendim me të, apo për ju duhet hedhur hapi tashmë?

Jo, nuk jam dakort me komisionerin Hahn, se ne kemi thënë që ka dy pika që duhen plotësuar për hapjen e negociatave. Zgjedhjet dhe fillimi i zbatimit të proçesit të Vettingut. Ne duhet t’i përmbahemi kësaj dhe të hapim negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Kriteret e tjera sigurisht që duhen diskutuar, por kjo mund të bëhet gjatë negociatave. Unë i kërkoj Komisionit Europian dhe Këshillit të ministrave që të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Kemi shumë për të bërë, por mendoj se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Pyetje: Ju keni bërë avokatin e hapjen së negociatave për një kohë të gjatë në interes të vendit dhe të qytetarëve. Mendoni se është e realizueshme këtë vit, apo në fillim të vitit të ardhshëm? Komisioneri Hahn bëri të kuptohet se nuk ndryshon shumë nëse është çështje muajsh.

Nëse komisioneri do të shihte se çfarë mendojnë qytetarët e Ballkanit për qëndrimin tonë, ai nuk do t’a thoshte këtë. Ne kemi qenë të qartë për kushtëzimin para hapjes së negociatave. Tani duhet të mbajmë fjalën e dhënë. Nuk bëhet fjalë për mbylljen e negociatave, por për hapjen e tyre. Komisioni dhe shtete anëtare duhet të tregohen të besueshme dhe të hapin negociatat tani.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme