Flakë e përplasje fizike, mbyllet mes tensioneve seanca në Kuvendin e Shqipërisë

11:39 | 3 Tetor 2024
L G

Ka përfunduar seanca plenare e mbajtur këtë të enjte në Parlamentin e Shqipërisë. Ajo i zhvillua mes tensioneve të shumta ndërsa deputetët e opozitës, 24 prej të cilëve të përjashtuar nga Sekretariati i Etikës, tentuan të hynin në sallë.

Deputetët e opozitës këtë të enjte u paraqiten një orë më herët në Parlament, ku u përballen me punonjësit e Gardës së Republikës, të cilët kishin bllokuar hyrjen. Mes tyre pati tensione të vazhdueshme, por deputetët nuk u lejuan të futen në sallë. Ata tentuan gjithashtu të hyjnë në Parlament nga dyert e tjera të cilat gjithashtu ishin të bllokuara.

Debate dhe përplasje të forta fizike pati mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës.

Deputetët e përjashtuar të PD, së bashku me kolegët e tyre, bllokuan këtë të enjte hyrjet e parlamentit, duke penguar socialistë të hyjnë në sallë.

Përplasjet u përshkallëzuan deri në konfrontime fizike mes deputetëve të të dy kampeve politike.

Fillimisht, ministri i Financave, Petrit Malaj, kreu i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi, dhe ministri Igli Hasani u penguan nga deputetët e PD, çka solli ndërhyrjen e gardës.

Përplasje pati edhe pranë derës së Kuvendit midis deputetit të PD Flamur Noka dhe deputetëve socialistë Frrok Gjini dhe Paulin Sterkaj.

Por socialistët hynë më pas nga dyert dytësore dhe seanca plenare nisi me vonesë.

Në këtë moment deputetët e opozitës nxorrën në oborrin e Parlamentit disa manekinë të veshur si të burgosur e me fytyrat e kryeministrit Edi Rama, vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, (i denoncuar nga Gazment Bardhi) Fatmir Xhafaj dhe të vëllait të tij Geron Xhafaj (i denoncuar nga Ervin Salianji)

Kujtojmë se opozita morri vendimin se nuk do të ketë marrëdhënie institucionale me mazhorancën që kur Gjykata e Apelit vendosi masën 1 vit burg për deputetin Ervin Salianji, i akuzuar për kallëzim të rremë.

Në seancën e mbajtur të hënën deputetët e opozitës e bën të pamundur zhvillimin e një seance plenare normale. Ata bllokuan foltoren, hodhën sende të forta në drejtim të kryeparlamentares, si edhe dogjën karriget e Kuvendit. Kjo bëri që 24 deputetë opozitar të përjashtoheshin nga punimet e parlamentit nga Sekretariati i Etikës./euronews/

Të ngjashme