Google ADS

Fjalim prekës nga gjyshit i 14-vjeçarit të vrarë: S’dua t’i bëj kujt keq, por nuk kam ç’e dua jetën pa drejtësi

19:58 | 25 Nëntor 2024
E.H

Protestës së organizuar mbrëmjen e sotme para Ministrisë së Arsimit në Tiranë për Martin Canin, i cili u vra me thikë në zemër nga bashkëmoshatari Mario Përlleshi, i është bashkuar edhe gjyshi i 14-vjeçarit të ndjerë.

Ai i është drejtuar të pranishmëve me një fjalë të shkurtër, ku ka kërkuar që të vendoset drejtësia në vend për nipin e tij. Dhe për ta bërë të mundur këtë, gjyshi i Martinit kërkon mbështetjen e të gjithë shqiptarëve.

“Dashamirës që keni ardhur për hir të një martiri që ra pabesisht, unë jam gjyshi i Martinit. Për ne ka qenë një humbje shumë e madhe, që me zor po e përballojmë. Unë kërkoj me këmbëngulje, që të vendoset në këtë shtet drejtësia. Do të triumfojë drejtësia, sepse mos kujtoni ju që unë anoj nga asnjë parti, vetëm dua drejtësi dhe drejtësinë do e mbështesë i gjithë populli”, u shpreh ai, raporton A2cnn.

Më tej ai shtoi se familja Cani ka përjetuar një dhimbje të papërshkrueshme dhe bëri thirrje që të ndërhyjë e gjithë shoqëria dhe autoritetet për të shmangur ngjarje të tilla të rënda me protagonistë adoleshentët, në vijim.

“Unë me thënë të vërtetën se e mbaj vetën një çik si burrë i fortë, por për fëmijën nuk paska gjë më të rëndë. Që një djalë 14 vjeçar iu prenë ëndrrat mu në lule të rinisë. Martini për ata që e njohin ka qenë shembullor në shkollë, shembullor në shoqëri, shembullor që merrej me sport. Prandaj, gjithë Shqipëria, se ne u dogjëm, por mos të digjen më të tjerë. Vetëm drejtësi”, tha ai më tej.

Gjyshi i 14-vjeçarit në vijim hodhi poshtë çdo mundësi për një konflikt të mundshëm me familjen Përlleshi, duke thënë se nuk dëshiron t’i bëjë keq askujt, por kërkon vetëm të zbardhet plotësisht vrasja e nipit të tij.

“Vetëm drejtësi. Nuk dua askush të përfitojë nga rasti që të na shfrytëzojë. Nuk do të zgjidhet ky problem që Martini të shkojë në vendin e duhur, unë do e ndjek këtë problem. Sikur ra Martini, do të bie edhe unë, se s’ka ç’më duhet më jeta. Nuk dua kurrën e kurrës t’i bëj keq kujt, por të vihet drejtësia në vend”, tha gjyshi i Martin Canit në protestë”, deklaroi ai në protestë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme