Prestigjiozja Financial Times i ka kushtuar një artikull operacionit policor në Shqipëri për heqjen e kamerave të paligjshme në rrugët e qyteteve.
Qindra kamera janë çmontuar deri tani në Shkodër, Durrës, Fier, Pogradec, Lushnjë, Shijak, Krujë, por edhe në Tiranë, dhe sipas prestigjiozes britanike ky fenomen, i përkufizuar si “ skandal”, tregon fuqinë e grupeve kriminale në Shqipëri.
Sipas artikullit, rreth gjysma e këtyre kamerave të sigurisë në dorë të kriminalitetit ndodhet në kryeqytet, ndërkohë që fenomeni që nxiti operacionin u pikas në Shkodër, pas shpërthimit në banesën e një efektivi të policisë, përcjell Telegrafi Shqipëri.
Artikulli tregon për mënyrën sesi grupet kriminale kontrollojnë lëvizjet e forcave të rendit por veçanërisht ato të grupeve rivale, kartele që sipas artikullit punësojnë tashmë “ mijëra familje”, duke ndërthurur miqësi dhe interesa që shkojnë nga trafikimi i lëndëve narkotike tek pastrimi i parave.
Financial Times citon edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit “ kjo është një situatë ku ne akuzohemi edhe në qoftë se nuk marrim vendim, si dhe kur e marrim”.
Artikulli i plotë:
Policia shqiptare çmontoi më shumë se 500 kamera të paligjshme vëzhgimi që dyshohet se janë ngritur nga bandat për të monitoruar qytetarët dhe forcat e rendit, në një skandal që nxjerr në pah fuqinë e rrjeteve kriminale në kombin e vogël ballkanik.
Kamerat, rreth gjysma e të cilave ishin montuar në kryeqytetin Tiranë, u zbuluan gjatë një hetimi të nxitur nga një mjet shpërthyes i plasur pranë shtëpisë së një oficeri policie në qytetin verior shqiptar të Shkodrës. Ndikimi i bandave kriminale është përmendur ndër arsyet kryesore që shqiptarët të largohen nga vendi i tyre dhe të shpërngulen në vende të tjera evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe.
“Policia e çmontoi. . . kamera të vendosura në shtylla elektrike, në rrugë, për të mbledhur informacione për qëllime kriminale,” tha policia shqiptare në një deklaratë të martën. Kamerat e vendosura nga persona apo grupe kriminale kishin për qëllim edhe marrjen e informacionit për lëvizjet e policisë.
Bandat përdorën kamerat e kontrolluara nga distanca për të monitoruar rivalët dhe lëvizjet e policisë për të qenë një përpara zbatimit të ligjit, sipas një raporti nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese.
Kryeministri Edi Rama tha se operacioni policor ishte “pak si një situatë Catch-22 pasi akuzohemi se nuk kemi marrë masa dhe akuzohemi gjithashtu kur marrim masa”.
“Fakti që policia veproi për këtë çështje, problem prej dekadash, do të thotë se qeveria është e prirur dhe e fokusuar në luftimin e krimit të organizuar”, tha Rama. Ai shtoi se jo të gjitha kamerat ishin të lidhura me rrjetet kriminale dhe se “disa ishin për përdorim individual, megjithëse jo të ligjshëm”.
Ish-ministri i Jashtëm dhe i Drejtësisë Aldo Bumçi tha se grupet kriminale kishin ndërtuar një rrjet global të trafikut të narkotikëve dhe po pastronin paratë në Tiranë.
Kartelet shqiptare të drogës punësojnë dhjetëra mijëra familje në vend për të rritur marijuanën, tha Bumçi, duke përdorur paratë dhe lidhjet me Evropën Perëndimore për të operuar gjithashtu një rrjet global të kontrabandës së heroinës dhe kokainës.
Në anën tjetër Rama tha se “kultivimi i kanabisit ka rënë në mënyrë drastike dhe operacionet e suksesshme policore në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. . . flasin për rritjen e efektivitetit në luftimin e krimit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm”.
Vitin e kaluar, Komisioni Evropian kritikoi Shqipërinë, një vend kandidatë për anëtarësim në BE, për një ligj të propozuar që ofron amnisti për depozitat deri në 2 milionë euro në bankat shqiptare pa penalitete, duke tatuar transfertat me një normë deri në 10 për qind.
Një raport i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i lëshuar vitin e kaluar thoshte se Tirana duhet të vazhdojë përpjekjet për reformën në drejtësi, të forcojë rregulloret dhe mbikëqyrjen kundër pastrimit të parave dhe të punojë për të ulur ndikimin e krimit të organizuar.
“Krimi i dhunshëm në Shqipëri shoqërohet shpesh me krimin e organizuar,” thuhet në raport. “Gjyqtarët, prokurorët, policia dhe gazetarët kanë qenë subjekt i frikësimit”.
Vullneti dhe Rovena shkëmbejnë puthje në distancë, reagimi i...
Aksion i Antidrogës në Prizren, dy të arrestuar
Vullneti dhe Rovena shkëmbejnë puthje në distancë, reagimi i...
Kryetari i radhës i OSBE-së, Ian Borg do të vizitojë Shqipër...
Fitorja e Trumpit, Limaj: Ishte madhështore – Populli amerik...
Maqedonci: Shërbime të huaja dashakeqe “ushqyen” lajmet për ...