Një muaj pasi është ndarë nga e dashura e tij, një 21vjeçar nga Korça e ka kërcënuar atë me publikimin e fotove nudo dhe skenave të nxehta gjatë marrëdhënieve seksuale mes tyre.
Për të mos e bërë këtë, ai ka kërkuar prej saj pagimin e një shume prej 800 mijë lekësh. I akuzuari si autor i këtij veprimi është Jenis Lika, i cili po gjykohet në Gjykatën për Krimet e Rënda për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes dhe dhunës për dhënien e pasurisë”. “Panorama” ka siguruar dosjen e Prokurorisë për këtë rast, ku zbardhen detajet e “gjobëvënies” së të riut, i cili u nda nga e dashura, pasi nuk pranoi faktin që ajo të kryente studimet e larta në Tiranë.
HISTORIA
Në kallëzimin e depozituar më 11 shkurt 2017, kallëzuesja me iniciale B. I. ka sqaruar se kish pasur një lidhje dashurie me të pandehurin në periudhën majtetor 2016, gjatë së cilës kanë kryer edhe marrëdhënie seksuale. Në muajin tetor, të dëmtuarës i ka dalë e drejta e studimit në shkollën e lartë në Tiranë. Jenisi nuk ka qenë dakord që ajo të vazhdonte shkollën, pasi i kishte thënë se nuk do të kthehej më në Korçë dhe për këtë arsye ata i kanë shkëputur kontaktet.
GJOBEVENIA
Në muajin nëntor 2016, pasi ata i kishin ndërprerë kontaktet, Jenisi ka telefonuar të dëmtuarën dhe duke i thënë se duhet t’i jepte 800 mijë lekë të reja, e kërcënonte se në të kundërt do t’i publikonte në rrjetet sociale fotot intime që kishin bërë bashkë. E dëmtuara, duke e ditur ekzistencën e këtyre fotove, i ka thënë Jenisit se nuk kishte përse t’i publikonte.
Jenisi ka vazhduar të këmbëngulë se, po të mos i jepte paratë, do t’i shpërndante fotot në Instagram. Këtë kërcënim Jenisi ia bënte një herë në dy–tri ditë.
FOTOT NUDO NE INSTA
Në muajin dhjetor të vitit 2016, pasi e dëmtuara nuk ka pranuar t’i japë shumën e lekëve, Jenis Lika ka hapur një llogari me gjeneralitetet e saj në rrjetin social “Instagram”, ku ka publikuar foto normale të saj, si dhe foto nudo, e foto duke kryer marrëdhënie seksuale. Këto foto i kanë shkuar dhe të dëmtuarës në Instagram. E dëmtuara, pasi i ka parë këto foto, ka telefonuar Jenisin, i cili i ka thënë “derisa të më japësh paratë, do t’i publikoj fotot dhe do të shkatërroj ty dhe familjen”. Fotot janë parë edhe nga shoqëria e të dëmtuarës dhe të afërmit e saj. Sipas Prokurorisë, një kushëri i të dëmtuarës ka takuar Jenisin dhe ky i fundit e ka mbyllur këtë llogari në “Instagram”.
KERCENIMI I MOTRES
Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, i pandehuri nuk është mjaftuar vetëm me kërcënimin e ishtë dashurës, por ka kërcënuar edhe motrën e saj. Pasi ka mbyllur llogarinë në Instagram, ai ka vijuar t’i dërgojë SMS, pasi e dëmtuara nuk i ka hapur telefonin. Mesazhet kanë qenë me tekst fyes dhe kërcënues, duke i kërkuar që t’i hapte telefonin dhe t’i dërgonte paratë deri në fund të muajit. Më 11 shkurt 2017, kohë kur e dëmtuara kishte ndërruar telefon, ai ka mundur t’i gjejë numrin përmes motrës së saj. Më vonë, motra e kallëzueses i ka treguar se i pandehuri i kishte shkruar duke i thënë “thuaji motrës që po nuk m’i solli lekët deri në datë 20 të këtij muaji, unë do ta shkatërroj. Ty do të të ndaj nga burri se e di se je pika e dobët e saj”. Pas këtij momenti e dëmtuara ka vendosur ta kallëzojë të pandehurin.
LEKËT I HARXHOVA PËR BURGUN
E dëmtuara ka sqaruar se gjatë kohës që ka qenë e lidhur me Jenisin, një djalë që nuk ia kujtonte emrin i shkruante duke e ngacmuar në “Facebook”. Sipas saj, Jenisi i ka thënë se do të shkonte ta takonte që të mos i shkruante më mesazhe. Më pas, Jenisi i ka thënë të dëmtuarës se ishte zënë me atë djalë dhe e kishin futur në burg. Ai i ka thënë se kishte marrë para borxh për të dalë nga burgu dhe tani këto para duhet t’i paguante e dëmtuara.
PËRGJIMI
Prokuroria ka në dosje edhe një përgjim telefonik të të pandehurit Lika, të kryer më 15 shkurt 2017. Ai ka telefonuar kallëzuesen në numrin e saj, ku e ka kërcënuar sërish për t’i dhënë shumën prej 800 mijë lekësh brenda datës 20 të atij muaji. “Po ashtu, shtetasi nën hetim i ka thënë të dëmtuarës se do të ikte për Greqi dhe paratë kur t’i bënte, t’ia dërgonte me bankë ose do të dërgonte dikë që t’i merrte”, thuhej në dosjen e gjykatës.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...