Google ADS

Fiket zjarri në Elbasan, Bashkia: Ishte i qëllimshëm

21:00 | 27 Gusht 2023
Orgesa Haziri

Rreth 100 punonjës dhe 15 mjete zjarrfikëse u angazhuan për fikjen e zjarrit në landfillin pranë inceneratorit të Elbasanit, zjarr i cili u shfaq rreth orës 17:45 të së shtunës dhe mori përmasa të mëdha, i ndihmuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta.

Pas rreth 4-5 orë luftë me flakët, forcat e ushtrisë dhe efektivë zjarrfikës të Elbasanit, Tiranës, Durrësit, Belshit, Gramshit, Cerrikut e Peqinit arritën të vënë nën kontroll flakët.

“Në moment që kemi ardhur frynte edhe një erë, meqë edhe objekti është buzë lumit Shkumbin, kishte një erë që e favorizoi shumë. Edhe thatësira e madhe, temperaturat bënë të vetën dhe kjo ishte e menjëhershme”, tha Tajar Alla, Shef i Shërbimit Zjarrfikës Elbasan.

Ekipet e zjarrfikëseve të Elbasanit vazhdojnë të qëndrojnë në landfill për t’i paraprirë çdo riaktivizimi të mundshëm të vatrës, ndërsa e gjithë sipërfaqja po mbulohet me materiale inerte për të minimizuar çdo mundësi rishfaqje të zjarrit.

“Në mëngjes u larguan të gjitha mjetet, vetëm një mjet i Tiranës dhe ushtria, si dhe ekipi i Elbasanit që janë ende këtu nëse shfaqet ndonjë zjarr tjetër”, tha Alla.

“Shkaku, nuk mund të përjashtohet edhe zjarr i qëllimshëm”, shtoi ai.

Në një reagim të saj zyrtar Bashkia e Elbasanit thotë se dyshimet kryesore janë për një zjarr të qëllimshëm, për të cilin organet e policisë dhe prokurorisë po hetojnë.

Ndërkohë me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, impianti i Elbasanit po ruhet nga policia e shtetit dhe ajo bashkiake.

Bashkia e Elbasanit në reagimin e saj shton se, nisur nga numri i bashkive të tjera që trajtojnë mbetjet në këtë incenerator, ka lindur nevoja dhe po punohet për hartimin e një projekti te domosdoshëm, që në bashkëpunim me bashkitë e tjera, të zgjerojë kapacitetin pritës të mbetjeve, konform të gjitha kushteve higjeno-sanitare për të përballuar sasinë e mbetjeve që grumbullohen çdo ditë dhe nuk hidhen më në landfille primitive të secilës bashki./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme