Google ADS

Fier, grabitja me armë ku mbeti i plagosur kushëriri i pronarit të banesës, arrestohet një prej autorëve

23:46 | 11 Shkurt 2021
Arbresh.info

Fier – Një prej autorëve të dyshuar të vjedhjes me armë të mbetur në tentativë mbrëmjen e kaluar në Roskovec është arrestuar nga policia.

Ai është 26 vjeç, banues në Vlorë dhe rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Plagosje” dhe “Vjedhje me dhunë”. Policia njofton se ishte së bashku me tre persona të tjerë mbrëmjen e kaluar dhe me armë zjarri tentuan të vidhnin banesën e shtetasit A. Ç., 57 vjeç, dhe për pasojë ngeli i plagosur në këmbë kushëriri i 57-vjeçarit, shtetasi A. Ç, 47 vjeç.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin: E. B., 26 vjeç, banues në Vlorë.(I dënuar më parë për veprat penale “Plagosje” dhe “Vjedhje me dhunë”)

Si rezultat i rrethimit në një perimetër të gjerë të zonës dhe kontrollit përgjatë natës dhe paradites së sotme, shërbimet e Policisë kapën 26-vjeçarin me automjetin tip “Nisan”, ku gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një kapuç, maskë, një fenelinë dhe një radio si ajo e policisë, tre aparate celularë, një trapan, pesë copë fishekë arme gjahu, veshjet të dyshura të përdorura në kohën e ngjarjes”, njofton policia.

Ndërkohë nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një armë gjahu, shtatë fishekë arme gjahu, një thikë metalike, tre radio si ato të policisë.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme