Janë ditët e fundit të 2017-ës.
Njerëzit nxitojnë të bëjnë blerjet e fundit. Ka nga ata që mundohen të kalojnë një vit të ri normal. Tradita e do që nata e ndërrimit të viteve kalohet në familje, përreth një tryeze festive.
Por jo të gjithë janë entuziastë. Të paktën disa prej atyre që ndalojnë për të folur, ankohen për çmimet. Në Durrës, nëse beson tregtarët dhe qytetarët që flasin përpara kamerave blerjet e fundvitit duket se kanë rënë ndjeshëm, shkruan top channel.
“Shumë keq po na gjen. Një 30 mijë lekësh që marrin pensionistët nuk u del as për një pulë. Unë punoj sa të ushqehem. Deri tani nuk kam bërë pazare fare dhe as nuk do të bëj. Vitin e Ri do ta kaloj në shtëpi. Ky vit, shumë fukarallëk. Pa punë. Çmimet në stratosferë. Do e kaloj mbyll në shtëpi me fëmijët. Ku të shkoj pa lekë?! Me këtë krizë që është ku ta kalojmë Vitin e Ri. S’kemi lekë për urban, jo për të kaluar Vitin e Ri. Gjithë ky çun rri në rrugë për të shitur ndonjë kilogram arra. Kriza më keq nuk ka ku të shkojë”, thonë qytetarët.
Ka dhe nga ata që kjo natë festive do t’i gjejë në punë.
“Çmimet janë rritur disi, po pranueshëm. Natën e Vitit të Ri do ta kaloj në punë, turni i tretë. Jam infermier në spitalin e Durrësit”, thotë njëri.
E njëjta situatë në Elbasan. Qytetarë që nxitojnë të bëjnë blerjet e fundit, mes tyre ka nga ata që ankohen, ose nga ata që mendojnë se çmimet janë normale.
“Në Shqipëri, në shtëpi me familjen. Më dobët nga viti më parë. 30 mijë lekë gjeli. Më dobët këtë vit ekonomia”, deklarojnë qytetarët.
Në tregun e lirë të Lezhës, krahasuar me një vit më parë, tregtarë e konsumatorë shprehen se ka më pak blerje. Ajo që është optimiste është një zonjë, që nuk shet fruta-perime, por lule. “Lulet blihen gjithmonë, s’kanë rëndësi lekët”, thotë ajo.
“Edhe sot i kanë ngrit çmimet në maksimum. Me ça me i ble?! Pare s’kemi. I kanë rrit nga 300-400 lek për kile, portakallet, mollët. S’dimë ku të vëmë dorë. 18 mij lekë një grusht arra. S’kam bërë ende blerje. Do të pres deri minutën e fundit mos ka ulje. Kështu ka ardhur koha duke pa vetëm ofertën”, thotë qytetarët.
Në Bulqize, qytetin që jeton me minierën, blerësit dhe tregtarë ankohen. Secili sipas kendvështrimit të vet.
“Shumë dobët! S’kanë lekë njerëzit. Vitin e kaluar filloi që më datë 20 Viti i Ri. Duke e krahasuar me vitin e kaluar, blerja është më e ulët. Produktet janë të njëjtat. Blerja s’është ajo që presim ne duke pas parasyh që ekonomia nuk është në nivelet e duhura. Atmosfera jo shumë si për fundvit”, thonë tregtarët.
I gjithë ky trazim do të marrë fund pasditen e datës 31, kur gjithçka të bjerë në qetësi: tregjet do të ulin grilat dhe njerëzit do të mbyllen në shtëpi përpara televizorëve. Disa më të rrallë, do të përgatiten për ta kaluar mbrëmjen jashtë, në lokal. Ndërrimi i viteve do të zgjasë vetëm dy ditë, më pas jeta do të rikthehet në normalitet./Top Channel
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...