Në shkollën speciale për fëmijët me aftësi të kufizuar në Shkodër, nxënësit dhe prindërit po bëjnë përgatitjet e fundit për festat e fundvitit. Bashkë me to është edhe Rexhina, nëna e një djali 16 vjeçar me aftësi të kufizuar. Ajo thotë se çdo ditë është shumë e vështirë për një nënë me fëmijë me aftësi të kufizuar.
“Duhet me qenë një prind shumë i fortë për të duru gjithçka, sepse është gjë e Zotit dhe atë që na ka kriju Zoti duhet ta përballojmë . Unë jam shumë krenare për djalin që kam. Falë Zotit që ushqehet vetë, ecë vetë. Por duhet që ne si prindër të jemi sa më të fortë dhe sa më të durueshëm”.
Fëmijët me aftësi të kufizuar jo gjithmonë mbështeten nga komuniteti dhe institucionet, ndërsa nënat e tyre shpesh shikohen ndryshe nga të tjerat, thotë Rexhina, e cila shprehet se, krahas mbështetjes që marrin në familje, është e nevojshme që fëmijët me aftësi të kufizuar të ndjehen të vlerësuar edhe në komunitet.
“Një fëmijë që është me probleme atij duhet t’i japësh shumë mbështetje, shumë dashuri, sepse ai ndjen kënaqësi. Por unë nuk e kam shumë problem, sepse mua ai do të më ketë gjithë jetën. Edhe vëllain e vet, babën, gjyshat dhe familjarët e mi”.
Rexhina ndjehet e kënaqur me ecurinë e djalit të saj në shkollën speciale, por apelon që në Shkodër të ketë edhe një shkollë të mesme për fëmijët me aftësi të kufizuar.
Në Shqipëri janë rreth 165 mijë persona me aftësi të kufizuar, një pjesë e të cilëve fëmijë. Në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër dhe Korçë funksionojnë 6 shkolla speciale. Vetëm në shkollën speciale “3 Dhjetori” për fëmijët me aftësi të kufizuar në Shkodër mësojnë 72 fëmijë, thotë drejtoresha Enkeleida Mataj.
“Spektri i fëmijëve që frekuentojnë shkollën tonë është i madh. Ata kanë diagnoza të ndryshme. Shkolla ka orë mësimdhënie të specializuar për këto fëmijë, me një kurrikul të veçantë që është e miratuar nga ACAP dhe që është e menduar në shërbim të fëmjëve me nevoja të veçanta që do të thotë kanë orë të zhvillimit të të folurit, terapie, orë të aftësimit profesional me rritjen e moshës”.
Fëmijët me aftësi të kufizuar në shumë raste e kanë të pamundur të përfshihen në sistemin arsimor gjithëpërfshirës, jo vetëm ata që banojnë në zonat e largëta malore, por edhe ata që jetojnë në qytet. Kjo për shkak të vështirësive të tyre fizike apo ekonomike, por edhe pasigurisë së prindërve për t’i ekspozuar në mjediset sociale, pasi jo rrallë, fëmijët me aftësi të kufizuar, por edhe prindërit e tyre, ndeshen me një mjedis paragjykues, thotë Suela Ndoja, psikologe klinike.
“Ka vështirësi që të kenë qasje në sistemin arsimor gjithëpërfshirës. Sot flitet për një sistem gjithëpërfshirës, por realiteti po tregon ndryshe, sepse kërkohen shumë burime njerëzore edhe mbështetje financiare për t’ju ardhur në ndihmë nevojave të tyre individuale, në mënyrë të personalizuar, në mënyrë që kurrikulat të jenë të adoptueshme dhe në nivelin e kuptueshëm prej tyre”.
Drejtoresha e shkollës speciale në Shkodër, Enkeleida Mataj, thotë se, për shkak të problematikave që kanë fëmijët me aftësi të kufizuar, nevojitet më shumë vëmendje si në nivel vendor, ashtu edhe qendror, jo vetëm për këta fëmijë, por edhe institucionet ku ata mësojnë.
“Është vëmendja që duhet të ketë shoqëria ndaj fëmijëve, por edhe ndaj institucioneve që punojnë me këtë targetgrup. Kuptohet që kemi nevojë për mbështetje me bazë materiale, mbështetje në logjistikë, akses fizik dhe informativ dhe në trajnime stafi, pavarësisht se ne përpiqemi dhe bëjmë edhe trajnime të brendshme apo iniciativa personale”
Në sistemin parauniversitar janë përfshirë vetëm një pjesë e fëmijëve me aftësi të kufizuar, numër ky që arrin në rreth 3700, për të cilët kujdesen 1300 mësues ndihmës./Voa
Mbesin pa ujë deri nesër dy fshatra të Vushtrrisë
Atletico Madrid skuadra me më së shumti pikë në top pesë lig...
PZAP aprovon ankesën e Listës Serbe, anulohet moscertifikimi...
Driloni acarohet me Fitimin për shkak të Sarës, i bën një pa...
“Simba” dhe futbollistët e Gjilanit vizitojnë me fëmijet me ...
Tre të lënduar në aksidentin mes autobusit dhe një automjeti...